
Hisen Berisha
Në shoqërinë tonë ekziston një kategori personalitetesh kontraverse që kanë deputetë personalë në Kuvendin e Kosovës, s’ka rëndësi se cilës parti apo filozofie politike i përkasin.
Këta deputetë nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, por interesin e individëve që i kontrollojnë.
Votën e tyre e trajtojnë si mall tregu, që shitet dhe blihet varësisht nga çmimi dhe momenti politik.
Pikërisht ky korrupsion moral e politik është ai që i ka mundësuar Albin Kurtit të formojë e të mbajë qeverinë, dhe që pritet t’ia mundësoj formimin e saj – jo përmes bindjes apo vizionit, por përmes blerjes së besnikërisë së përkohshme.
Në këtë kuadër, një rol të posaçëm po e luajnë partitë tjera politike, të cilat, në vend që ta sfidojnë modelin e tij autoritar, po ia mundësojnë Kurtit mbijetesën politike përmes infuzioneve me koalicione në nivel të pushtetit lokal dhe afrimeve të qëllimshme për bashkëqeverisje, duke u bërë paterica të një pushteti që vetë e kanë denoncuar.
Në vend të betejës politike për ndryshim, po i përshtaten pushtetit ekzistues, duke ia zgjatur jetën stërkeqjes politike.
Kjo sjellje e partive opozitare përkon me një moment kritik në politikën e jashtme të Kosovës.
Sepse derisa diplomacia amerikane ka bërë të qartë se nuk e sheh më Kurtin si partner të besueshëm – ngjashëm siç i ndodhi dikur Sheshelit në Serbi, të cilin e izoluan politikisht, partitë tona po e trajtojnë atë si potencialin e vetëm politik.
Në vend që të afrohen me qëndrimet amerikane e euroatlantike, ato po e forcojnë izolimin e Kosovës, duke e normalizuar marrëdhënien me një qeveri që është e vetmja e përjashtuar nga mbështetja strategjike e SHBA-ve.
Ironia e këtij momenti është se të njëjtët liderë, që dikur akuzonin Kurtin për lidhje me strukturat serbe e ruse, sot e mbështesin në emër të interesit për pushtet.
Të njëjtit që në vazhdimësi Kurti i ka akuzuar si të bashkërenduar me Beogradin, sot e mbrojnë dhe e justifikojnë.
Ndërkohë që SHBA-të e shohin si rrezik për interesat e tyre gjeostrategjike dhe për vet stabilitetin kushtetues të Kosovës, këta liderë po i japin mbështetje politike një njeriu që synon, me vetëdije, ta zhbëjë rendin kushtetues të shtetit që kurrë nuk e ka pranuar si të tillë.
Ai i përdor institucionet dhe Kushtetutën jo për të ushtruar sundimin e ligjit, por për t’i degraduar dhe për ta shtyrë vendin drejt një defunksionalizimi institucional.
Dhe më e rrezikshmja është se ky projekt autoritar po merr përkrahje në popull, duke u shndërruar në një pandemi politike që ushqehet nga mashtrimi dhe zhgënjimi.
Kur idetë destruktive marrin përkrahje popullore, ato kthehen në epidemi politike që gërryejnë vetë themelet e shtetit.
Në këtë mënyrë, idetë e sëmura politike po kthehen në pandemi shoqërore, sepse po ushqehen nga përkrahja popullore dhe nga heshtja e atyre që duhej të mbronin Kushtetutën, demokracinë dhe shtetin.
Shkruan: Hisen Berisha- ish-deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës
Shkëndija fiton derbin me Vardarin dhe rihap garën për titul...
Policia e Kosovës dhe Shërbimi Sekret Amerikan drejt bashkëp...
Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në...
Shtyhet më 12 mars seanca paraprake për dosjen “Meta”
Llapi siguron gjysmëfinalen pas ekzekutimit të penalltive
LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e ...