Qëndrimi ulur ju vret, madje edhe nëse ushtroni

21:50 | 19 Korrik 2015
M. A.

Një nga aktivitetet e preferuara të çdo njeriu mund të jetë në fakt fatal. E gjithë bota moderne është ndërtuar rreth uljes – kur e ngasim makinën, kur jemi në punë në zyrë, kur shikojmë TV – gjithmonë rrimë ulur.

Një studim i ri ka zbuluar se ky lloj i qëndrimit i rrit gjasat e sëmurjes apo krijimit të gjendjes e cila do të na vrasë shumë herët, edhe në qoftë se ushtrojmë, përcjell CNN.

Hulumtuesit nga Toronto kanë ardhur në këtë përfundim duke i analizuar 47 studime të qëndrimit në pozitën ulur. Ata i kanë përshtatur të dhënat e tyre ashtu që në to t’i përfshijnë edhe ata individë që ushtrojnë rregullisht. Ata arritën në përfundimin se sasia e qëndrimit ulur e tejkalon sasinë e ushtrimeve trupore. Sigurisht, sa më shumë ushtrime, aq më të vogla do të jenë efektet e qëndrimit ulur, thonë ata.

Hulumtimet kanë treguar se qëndrimi ulur mund të shkaktojë vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri, dhe mund të jetë shkak edhe i sëmundjeve kronike si diabeti i tipit 2. Inaktiviteti fizik është identifikuar si faktori i katërt më i shpeshtë i rrezikut nga vdekja për njerëzit në mbarë botën, sipas të dhënave të OBSH-së. Qëndrimi i ulur për periudha të gjata (8-12 orë në ditë ose më shumë) do të thotë se rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 2 është rritur për madje 90 për qind.

Autorët e studimit kanë dalë me disa sugjerime të thjeshta të cilat do të duhej të ndihmojnë që të qëndroni më pak të ulur. Një prej tyre është që të keni kujdes se sa në fakt qëndroni të ulur. Në këtë mënyrë mund ta bëni një cak që çdo javë ta reduktoni sado pak uljen. Nëse jeni në punë, mund të provoni ta përdorni ‘ulësen për qëndrim në këmbë” (kohët e fundit e kemi parë në zyrën e disenjatores Victoria Beckham), dhe çdo gjysmë ore mund të ecni disa minuta. Nëse shikoni TV, thonë autorët, mos i shikoni reklamat, por gjatë reklamave mund të ecni nëpër banesë.

Shpërndaje në rrjete sociale