Në një botë ku telefonat dhe teknologjia janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, edhe marrëdhëniet romantike janë ndikuar ndjeshëm nga prania e tyre. Çdo thirrje, mesazh, foto apo bisedë kalon përmes një pajisjeje që na shoqëron 24 orë në ditë. Dhe kjo, për shumë çifte, ka sjellë një pyetje që dikur nuk ekzistonte: Deri në ç’pikë është normale dhe e pranueshme brenda një marrëdhënieje privatësia?!
Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është një arkiv personal që përmban vite bisedash, kujtimesh, të dhëna pune, informacione familjare, e shpesh edhe pjesë të së kaluarës. Në këtë realitet, shumë partnerë ndihen të joshur për të pasur akses të plotë në jetën digjitale të njëri-tjetrit, nga ndarja e fjalëkalimeve, te kontrolli i mesazheve apo vendndodhjes.
Kjo qasje, që shumë e quajnë “transparencë”, për disa funksionon si mënyrë për të ndërtuar besim. Por për të tjerë, kjo mund të përkthehet në mungesë lirie personale dhe ndjesi kontrolli.
Sipas këshilltarëve të marrëdhënieve, një nga gabimet më të zakonshme është ngatërrimi i privatësisë me fshehtësinë. Privatësia është një e drejtë njerëzore dhe nuk bie ndesh me besimin në çift. Fshehtësia, në anën tjetër nënkupton qëllimin për të fshehur diçka që nuk duhet zbuluar.
Për shembull, mbrojtja e telefonit me një fjalëkalim për shkak të email-eve profesionale apo dokumenteve personale është plotësisht e justifikuar. Por fshirja e qëllimshme e mesazheve për të mbuluar një sjellje të dyshimtë, është një tjetër histori. Këto nuanca shpesh harrohen, duke çuar në konflikte që në fakt burojnë nga mungesa e komunikimit të hapur dhe të qartë.
Edhe në marrëdhëniet më të afërta, individët kanë nevojë për hapësirën e tyre personale, emocionale dhe digjitale. Telefoni mund të përmbajë biseda të pafajshme me miq, ish-partnerë apo familjarë, të cilat nuk janë domosdoshmërisht për t’u ndarë me dikë tjetër. Ndërhyrja e panevojshme në këtë hapësirë shpesh krijon më shumë dëm sesa dobi.
Gjithashtu, shumë njerëz ruajnë në telefon informacione që lidhen me persona të tjerë, çështje pune, situata familjare apo tema shëndetësore që kërkojnë diskrecion. Prandaj, respektimi i kufijve nuk është vetëm për partnerin, por edhe për të tjerët që janë pjesë e rrjetit të tij jetësor.
Çdo çift funksionon ndryshe. Disa ndihen rehat duke ndarë çdo detaj të jetës, qopftë edhe asaj digjitale, të tjerë ruajnë më shumë privatësi. Nuk ka një formulë të vetme, por ajo që funksionon gjithmonë është komunikimi i hapur dhe vendosja e rregullave të përbashkëta. Në vend që të bëhen supozime apo të ushtrohet presion për “transparencë totale”, partnerët duhet të ndajnë pritshmëritë e tyre dhe të gjejnë një mes që u përshtatet të dyve.
Kufijtë e shëndetshëm nuk janë shenjë largësie apo ftohtësie, por mënyrë për të ruajtur balancën dhe respektin reciprok në një marrëdhënie. Sigurisht, ka raste kur privatësia shndërrohet në fshehtësi të dëmshme. Shenja si fshirja e vazhdueshme e mesazheve, reagimet mbrojtëse ndaj pyetjeve të thjeshta, apo mbajtja obsesive e telefonit larg syve të partnerit, mund të jenë sinjal për mungesë sinqeriteti. Por sërish, rruga më e shëndetshme për të adresuar këto shqetësime është biseda dhe jo kontrolli.
Besimi ndërtohet, nuk imponohet.Ideja se “nëse s’ke asgjë për të fshehur, s’ka pse të të shqetësojë që e kontrolloj telefonin tënd”, është e rrezikshme. Sepse të gjithë, edhe brenda dashurisë, kanë të drejtën për një hapësirë personale, jo për të fshehur, por për të qenë vetvetja. Besimi nuk është akses i pakufizuar, por siguria që tjetri do të të respektojë edhe kur nuk po të sheh./tvklan.al
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia