4 rregulla të mobilimit të shtëpisë që dizajnerët nuk i anashkalojnë kurrë

22:18 | 23 Janar 2026
Q L

Nëse po planifikoni mobilimin e shtëpisë ose thjesht një freskim të hapësirës, dizajnerët e interierit ju kujtojnë se këto rregulla nuk duhen neglizhuar asnjëherë

Mobilimi i hapësirës ekskluzivisht me ngjyra neutrale kërkon një ekuilibër të ndjeshëm. Meqenëse nuk ka ngjyra të forta që të shpërqendrojnë vëmendjen, përshtypja e përgjithshme e ambientit mund të dëmtohet nga nën-tonet që bien ndesh me njëra-tjetrën, kontrolli i dobët i kontrastit ose ndriçimi i papërshtatshëm. Megjithatë, ekzistojnë rregulla që ndihmojnë në krijimin e një interieri harmonik.

Hapësirat me nuanca minimale të ngopura mbështeten në elemente si thellësia, drita, hija, nën-toni, kontrasti, tekstura dhe materialet për të krijuar interes vizual. Mobilimi me ngjyra neutrale krijon ambiente që duken të qeta, të balancuara dhe të përjetshme.

Duke reflektuar qetësinë e botës natyrore, paleta neutrale e ngjyrave sjell ndjesi stabiliteti dhe relaksimi në shtëpi. Një skemë e tillë krijon një sfond fleksibël për mobiliet dhe veprat artistike, duke mundësuar që objektet të vlerësohen në kontekst, e jo të izoluara.

Toni dhe kontrasti janë kyç
Gjatë ndërtimit të një skeme neutrale, është e rëndësishme të mbështeteni në teorinë e ngjyrave, ndërsa parimi kryesor lidhet me mënyrën se si variacionet mes dritës dhe errësirës e përcaktojnë efektin e një nuance.

“Toni dhe kontrasti janë thelbësore”, shpjegon Ema Shon-Senders, themeluese e studios së dizajnit të interierit Shone Sanders Studio. “Çdo ngjyrë neutrale ka një nën-ton të ngrohtë ose të ftohtë që duhet të kombinohet në mënyrë harmonike, ndërsa kontrasti është ai që i jep thellësi skemës neutrale. Pa nivelin e duhur të kontrastit, ambienti mund të fillojë të duket disi ‘i sheshtë’.”

Tonet neutrale të ngrohta përfshijnë ngjyrat krem, tërshërë, bajame dhe gështenjë, ndërsa tonet më të ftohta janë gri e çelët, gri-bezhë dhe ngjyra e qymyrit. Përdorimi i kontrastit, si kombinimi i kremit me ngjyrën e arrës, shton dimension.

“Në përgjithësi, duhet të përpiqeni të zgjidhni një anë mes ngjyrave të ngrohta dhe atyre të ftohta,” shpjegon Shina Marfi, themeluese e studios Nune.

“Zakonisht inkurajojmë përdorimin e neutraleve më të ngrohta për hapësira më komode, por edhe kombinimi funksionon. Për shembull, lisi dhe bronzi mund të jenë një mënyrë shumë efektive për të shtuar ngrohtësi në një ambient neutral të ftohtë, pa e ngatërruar drejtimin estetik.”