​LDK vendos për mbajtjen e zgjedhjeve në degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani

20:00 | 24 Qershor 2016
M. A.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e rregullt, në të cilën u diskutua për proceset e brendshme që duhet ndërmerren pas mbajtjes dhe vendimeve të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kryesia, sot vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve në Forumin Rinor, në Forumin e Gruas, si dhe në Degët e LDK-së në Gjermani, në Zvicër dhe në Kllokot, si dhe diskutoi modalitetet për këtë proces dhe caktoi anëtarët e Kryesisë që do të përcjellin këtë proces”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerësoi se duhet të bëhen të gjitha përgatitjet dhe që zgjedhjet në këto instanca të mbahen në përputhje të plotë me aktet statutare dhe në kohën e paraparë.

Gjatë mbledhjes, u bisedua edhe për proceset në vend, me ç’rast u vlerësua lartë puna e Qeverisë së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, akademik Isa Mustafa.

Shpërndaje në rrjete sociale