Zyra e Petkoviqit: Prishtina ka nisur një valë arrestimi të pelegrinëve

10:13 | 7 Prill 2025
Gita

“Prishtina ka nisur një valë arrestimi të pelegrinëve nga Serbia, me qëllim të vazhdimit të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe presionit ndaj popullit serb në “krahinën tonë”, pretendohet në kumtesën e zyrës së Petkoviqit, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës.

Është kumtuar se P.K., M.S., B.R. dhe N.V., janë ndaluar në Gjakovë dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, dhe në Prizren është arrestuar një grup “pelegrinësh”.

Derisa L.S. dhe S.R. u ndaluan, të tjerët u liruan pas marrjes në pyetje dhe u dëbuan në Serbi.

“Bëhet fjalë për dhunën më flagrante ligjore, dhe shkeljen më flagrante të lirisë fetare, sepse të gjithë të arrestuarit kanë qenë në Kosovë për të vizituar vendet e shenjta dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe.

Njëkohësisht të gjithë të arrestuarit kanë kaluar rregullisht në vendkalimin “administrativ”, gjë që tregon se prania e tyre në Kosovë në asnjë mënyrë nuk ka qenë kontestuese”, shtohet në këtë kumtesë, transmeton Paparaci.

Në deklaratën e të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovë” pretendohet tutje se “Strukturat ekstremiste politike në Prishtinë edhe me këto arrestime tregojnë se duan të ushtrojnë presion të ri mbi Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe manastiret e saj, veçanërisht në jug të Ibrit, dhe t’u bëhet me dije serbëve se nuk u lejohet të vijnë dhe të vizitojnë vendet e tyre të shenjta”. Zyra për Kosovë dhe Metohi është në kontakt me përfaqësuesit ligjorë dhe familjet dhe do të sigurojë, si në të gjitha situatat e ngjashme në të kaluarën, çdo lloj ndihme dhe mbështetjeje”, pretendohet në këtë kumtesë.

Ata u bëjnë thirrje organizatave ndërkombëtare në Kosovë “që të tregojnë gatishmëri dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre në mënyrë që Prishtina”, sipas tyre, “të jetë e përmbajtur në synimin e saj për të destabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë”.

Të ngjashme