Kosova ka rrezikuar humbjen e mbi 40 milionë eurove, si pasojë e mos përmbushjes së 6 hapave në kuadër të Instrumentit të Reformave nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, në një konferencë për media ka thënë se vendi kishte për detyrë përmbushjen e 13 hapave me afat shtesë, kohë kjo e mbaruar dje më 30 qershor.
“Sipas Instrumentit të Reformave, për hapat të cilat nuk arrijnë të zbatohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin. Nga këta 13 hapa me afat shtesë, 7 konsiderohen të zbatuara ndërkaq 6 nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht…Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t’i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar”, ka thënë Zulfaj.
Zulfaj shpjegoi se Agjenda e Reformave përbëhet nga 111 hapa që përfshin afro 300 hapa të tjerë si akte nënligjore.
“Në total në zbatim e sipër deri dje janë 62 hapa, prej tyre 13 kanë qenë me afat shtesë deri me 30 qershor 2026, pra deri dje. Ndërkaq 49 hapa të tjerë janë në zbatim e sipër, e që 27 prej tyre e kanë si afat shtesë fundin e vitit, dhjetor 2026. Nga gjithsej 62 hapa konsiderojmë që janë përmbushur 18”, ka shpjeguar ai.
Ai ka thënë se hapat e pa përmbushur kishin të bënin me Ligjin për Energjinë dhe Energjinë Elektrike, sistemin e kontrollit të ndihmës shtetërore, Ligjin për Inovacionin, Ligjin për Kamatëvonesat, pakon e ligjeve për reformën në drejtësi, përfshirë ato për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), si dhe Strategjinë për Luftimin e Krimit të Organizuar.
83% e reformave nuk u përmbushën si pasojë e Kuvendit të Kosovës
Kryenegociatori i Kosovës deklaroi se arsyeja e pa përmbushjes qëndron te mungesa e stabilitetit institucional. Përkatësisht ai tha se rreth 83 për qind e reformave që mbetën pa u përmbushur vareshin nga miratimi i tyre në Kuvend.
Më tej ai shtoi se Kosova ka përmbushur zbatimin e 18 hapave të reformave, në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në BE.
“Deri në fund të qershorit të këtij viti kemi zbatuar 18 hapa të reformave. Pjesa tjetër e hapave të planifikuara për këtë vit janë në zbatim e sipër. Sipas marrëveshjes për instrumentin dhe rregullave të tjera të planit të rritjes, vendimin përfundimtar për këtë e merr Komisioni Evropian në fund të periudhës vlerësuesve, e cila zgjat 90 ditë nga dita e dorëzimit të kërkesës sonë për lirim të fondeve, që do ta bëjmë me 15 korrik të këtij muaji”, ka thënë ai.
Zulfaj ka deklaruar se te Komisioni Evropian janë dorëzuar edhe dy raporte vjetore për zbatimin e objektivave të planit të rritjes dhe çështjet relevante horizontale, përkatësisht për vitin 2024 dhe 2025. Ndërkaq raporti për vitin 2026 do të dorëzohet më 15 janar 2027.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në foli edhe për takimin e parë të Komitetit Monitorues të Përbashkët me BE-në, të mbajtur më 17 qershor.
“Në këtë takim kemi diskutuar ecurinë e zbatimit të reformave si dhe përgatitjet lidhur me projektet investuese në kuadër të planit të rritjes. Edhe monitorimi, edhe raportimi është duke funksionuar mirë dhe pa vështirësi, dhe institucionet zbatuese përgjithësisht kanë kapacitete për të kryer të gjitha obligimet e raportimit të brendshëm dhe raportimit të rregullt gjashtëmujor të Komisionit Evropian”, ka thënë ai./rtk
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...