Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me akuzat që sot dolën nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se ky institucion u ndikua nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, për ndryshim të shifrës së shpenzimeve të karburanteve për vitin 2023 nga ekzekutivi.
Replika e kundër-replika kanë ndodhur gjatë tërë ditës së sotme ndërmjet ish-ministres Hykmete Bajrami dhe ministrit aktual të financave, Hekuran Muratit.
Çështja ka të bëjë me faqen 42 të raportit të Auditimit, për çka LDK thekson se është falsifikuar raporti i ZKA-së për shpenzimet e karburantit të pushtetit prej 31 milionësh.
Pas këtyre polemikave ndërmjet ministrit dhe ish-ministres, ka dalë me sqarim ZKA, duke theksuar se ka ndodhur gabim teknik dhe se në raport kanë mbetur të dhënat e vitit 2022.
Në reagimin e ZKA-së thuhet se Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport, si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ndër tjera, aty theksohet se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur.
“Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, thuhet në reagim.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022. Në shkrimin e saj në Facebook, deputetja Bajrami e quajti ministrin Murati “manipulues”.
Gjatë ditës deputetja Hykmete Bajrami në një shkrim në Facebook e quajti ministrin Murati “manipulues”.
“Hekuran, Trego kush po rren. A po rren Zyra Kombëtare e Auditimit? Në Raportin e Auditimit 2023, në faqe 42, shkruan se janë 31 milionë euro shpenzime në karburante. Ministër, i vetmi manipulues këtu jeni ju, por mashtrimeve dhe manipulimeve po ju vjen fundi dhe atë shumë shpejtë, me 9 shkurt”, ka shkruar ajo.
Në anën tjetër, Ministri Murati e akuzoi deputeten Bajramin për “gënjeshtra”.
“Nëse duhet të të përgjigjem ashtu siç e ke shtruar pyetjen, ajo që po rren je ti, kur thua që janë shpenzuar 31 milionë euro naftë për vetura zyrtare (shih foton e dytë). Fakti i pakontestueshëm është se në vitin 2023 për qeverinë bashkë me të gjitha institucionet tjera dhe komunat, karburant për vetura (dhe jo vetëm zyrtare, por kryesisht policia dhe FSK-ja) është shpenzuar 10.47 milionë euro”, u shpreh ai tek ka shtuar se shifra 31 milionë euro “ose duhet të jetë ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit”, ka shkruar mes tjerash Murati./rtk
Kushtetuesja e Maqedonisë së Veriut sot shqyrton Ligjin për ...
Vildane Zeneli, shfaqet si asnjëher më parë
Vrasja e CEO-s së UnitedHealthcare, i dyshuari del para gjyk...
Diçka e re po vjen nga Fifi
Arditi tha se u tërhoqën nga ‘Kënga Magjike’ për arsye shënd...
Izraeli konfirmon sulmin ndaj flotës detare siriane