Zjarri në fabrikën e plastikës në Rahovec, AKB: Vlera e dëmit është shumë milionëshe

15:04 | 21 Janar 2025
E.G

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për Rrafshin e Dukagjinit, Dr. Argjend Fetahu, i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij,  Avdi Lala, vizituan sot fshatin Sapniq të Komunës së Rahovecit pas tragjedisë që shkatërroi fabrikën prodhuese të plastikës, Ritupack.

Në njoftimin për media thuhet se zjarri shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe dyshohet të ketë shpërthyer për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike, të cilat janë dyshimet e para për shkakun e incidentit.

“Roja i natës ka informuar menjëherë ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje pas më shumë se një ore. Reagimi i ngadaltë dhe mungesa e profesionalizmit kanë ndikuar negativisht në përmasat e dëmit. Përforcime nga Gjakova, Prizreni, Malisheva dhe qytete të tjera kanë mbërritur vetëm deri në orën 09:00 për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se vlera e dëmit është shumë milionëshe, duke përfshirë humbjen e makinerive prodhuese që ishin të pajisura me teknologjinë më të fundit.

“Këto makineri ishin të investuara për të qenë sa më konkurruese në tregjet e rajonit, Ballkanit dhe më gjerë, dhe për të siguruar cilësinë më të lartë të produkteve. Po ashtu, objekti, stoku dhe landa e parë janë shkatërruar plotësisht, duke lënë pas shkrumb dhe hi. Ky dëmtim masiv ka pasur pasoja të rënda për fabrikën, e cila ka qenë burim punësimi për mbi 50 punëtorë që tani përballen me pasiguri të madhe.”, thuhet tutje.

Gjatë vizitës, Fetahu kërkoi nga institucionet kompetente që të hetojnë me urgjencë shkakun e incidentit dhe të sigurojnë një trajtim të drejtë për të gjithë ata që janë prekur nga ky zjarr tragjik.

Po ashtu, ai theksoi nevojën për përmirësimin e shërbimeve emergjente dhe për rritjen e efikasitetit të reagimeve për të shmangur katastrofa të tilla në të ardhmen.

“AKB do të vazhdojë të mbështesë fabrikën Ritupack dhe të monitorojë zhvillimet për të siguruar mbështetje dhe drejtësi për ata që janë prekur.”, thuhet tutje./Arbresh.info/