Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-kandidatë

12:07 | 26 Janar 2026
E.H

Ish-kandidat i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar dy kërkesa zyrtare, një te Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe një te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor.

Fazliu tha se kërkesa për Prokurorinë lidhet me hetimet që po zhvillohen për datën 28 dhjetor, duke i lidhur ato me dyshimet për shkelje të përsëritura nga të njëjtët komisionerë gjatë zgjedhjeve komunale të 12 tetorit.

Ai njoftoi se janë dorëzuar emrat e 33 ish-kandidatëve nga Ferizaj dhe paralajmëroi se së shpejti do të dorëzohen edhe nga komunat e tjera.

“Ne kemi kërkuar që hetimet të zgjerohen për shkak të natyrës së njëjtë të shkeljeve dhe dyshimeve që disa komisionerë mund të kenë keqpërdorur votën apo vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 12 tetorit, ashtu si më 28 dhjetor”, theksoi Fazliu.

Sipas tij, edhe një votë mund të bëjë diferencën, duke shpjeguar se për disa qytetarë çdo votë e humbur ka rëndësi të madhe.

Përveç Prokurorisë, Fazliu ka dorëzuar kërkesë edhe te KQZ për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese. Një nga kërkesat kryesore është rinumërimi i votave, dhe kandidati paralajmëroi se nëse rezultati ndryshon, do të kërkohet edhe anulimi i procesit zgjedhor.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për asgjësimin e fletëvotimeve, duke theksuar se nuk ka gjetur njoftime zyrtare nga KQZ për këtë proces.

“Unë dëgjova se fletëvotimet janë asgjësuar, por nuk ka asnjë njoftim zyrtar që e konfirmon këtë”, tha Fazliu.

Ky veprim vjen në një kohë kur Fazliu dhe mbështetësit e tij po kërkojnë transparencë më të madhe në procesin zgjedhor, duke kërkuar që çdo dyshim për keqpërdorime të trajtohet me seriozitet, në mënyrë që rezultati përfundimtar të reflektojë vullnetin real të qytetarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale