Ideja e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, po shihet të jetë e pa nevojshme, nëse vihet në nivel respektimi i masave në fuqi kundër pandemisë Covid-19, shkruan arbresh.info.
Për këtë kanë reaguar njohësit e proceseve zgjedhore, duke thënë se shtyrja e zgjedhjeve është e vështirë, pasi që mund të evitohen tubimet e mëdha të njerëzve, ndryshe nga dasmat dhe ahengjet e ndryshme që ishin lejuar, duke ndikuar në rritjen e rasteve.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, për arbresh.info tha se shtyrja e zgjedhjeve nuk është opsionale, si parësore duhet të jetë vetëdijesimi i qytetarëve për respektimin e masave në zgjedhje.
“Meqë është caktuar data dhe është afruar data e zgjedhjeve nuk ka gjasa që të ketë ndryshime të mëdha, por duhet një kujdes më të mirë nga ana e Qeverisë dhe qytetarëve pasi që po shihet që mungon respektimi i masave, edhe normal mungon vetëdija e qytetarëve dhe kujdesit që duhet ta kenë në bazë të masave të marra dhe numrat janë alarmant, gjendja është e rëndë andaj duhet analizua dhe me veprua”, tha Baraliu.
Ndërkaq analisti Shkodran Ramadani, për arbresh.info, e quajti të vështirë kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve kjo pasi që e njëjta do duhej të ndodhte edhe me zgjedhjet nacionale.
“Është shumë e vështirë me u shty zgjedhjet. Duhet me u ruajt më shumë pasi që edhe në vitin e kaluar nuk janë shtyrë zgjedhjet nacionale. Fushata duhet të jetë më e kujdesshme, më e monitoruar, të mos bëhen takime në ambiente të mbyllura, duhet të respektohet distanca. Do të jetë e vështirë për t’u realizuar në përpikëri, por sidoqoftë nuk besoj që zgjedhjet janë më të rrezikshme se dasmat e kanagjegjet, kjo pasiqë nuk ka grumbullime të mëdha në zgjedhje apo fushat, janë gjithë kohës në qarkullim gjatë gjithë ditës nuk e shoh problem të madh, që të shtyhen zgjedhjet”, tha Ramadani.
Ramadani komentoi po ashtu edhe kërkesën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, e sipas tij kjo vjen si shkak i rënies së Lëvizjes Vetëvendosje, që ka kapluar të gjitha komunat.
“Konjufca besoj që e ka kërkuar këtë pasi që LVV-je është shumë poshtë me rejting, si shkak i menaxhimit të dobët të pandemisë, qytetarët në njëfarë mënyre e kanë parë nivelin e tyre të kompetencës dhe besoj që pikërisht kjo është arsyeja se pse kërkohet edhe shtyrja e zgjedhjeve. Betejat politike shpesh herë bëhen shkaktar që gjërat të kalkulohen mirë”, deklaroi Ramadani.
Ditë më parë u diskutua edhe shkurtimi i ditëve të fushatës së zgjedhjeve e që kjo sipas juristëve është e jashtëligjshme.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, për arbresh.info, ka thënë se kërkesa për shkurtimin e fushatës zgjedhore është e pamundur kjo pasi që për ta bërë këtë do duhej të ndryshojë edhe Ligji për zgjedhjet lokale.
“Periudha e fushatës zgjedhore nuk mund të shkurtohet për shkak se ka pasur edhe kërkesa në publik që kjo të jetë më e shkurt, në rastet kur ka zgjedhje të rregullta siç janë këto zgjedhjet lokale për kuvende komunale dhe kryetar të komunave, fushata është e përcaktuar me ligj dhe është 30 ditë, e kjo nuk mund të ndryshohet pa ndryshim të ligjit, kështu që do të mbetet për 30 ditë”, tha Krasniqi.
Ditë më parë presidentja, Vjosa Osmani, ka takuar kreun e KQZ-së, Kreshin Radoniqi, me të cilin u tha se është diskutuar pë Zgjedhjet Lokale 2021, por pa u specifikuar detaje.
Kundër shtyrjes së zgjedhjeve janë deklaruar edhe partitë opozitare parlamentare./S.D/arbresh.info/
Njëri nga tre viktimat që vdiqën në vendin e punës në Vjenë ...
Parashikimi i motit për sot
Pas arrestimit për armëmbajtje, Gimbo tregon gjendjen emocio...
Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran
Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike pë...
PFL bën historinë në Spanjë, ndërsa Londra pritet të ndizet ...