Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia

18:55 | 28 Dhjetor 2025
R J

Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka konfirmuar për Arbresh.info, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.

“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.

Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.

“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.

Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.

Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri.