Zgjedhjet e reja pezullojnë investimet në Kosovë

18:10 | 22 Korrik 2019
A Z

Të premten bëri të ditur se do të lëshoi kolltukun e kryeministrit si pasoj e ftesës që kishte marrë nga Prokurori i Specializuar në Tribunalin e Hagës nën cilësinë e të dyshuarit.

Por,  ndryshimet që do të sjell largimi i Ramush Haradinajt nga  posti i të parit të qeverisë nuk do të prekin vetëm aspektin politik.

Njohës të çështjeve ekonomike paralajmërojnë pasoja të mëdha në këtë fushë deri në emërimin e ekzekutivit të ri.

Ata thonë se zgjedhjet e reja do të ngadalësojnë procesin edhe ashtu shumë të ngadalshëm të ekonomisë së Kosovës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë për arbresh.info se mund të ndërpritet funksionalizimi i disa ligjeve.

“Zgjedhjet e parakohshme do të ndikojnë në ekonominë e vendit për arsye se shumë ligje që nuk kanë qenë funksionale ma herët ishin duke u diskutuar që të ndryshohen siç është ligji për investime strategjike, ligji i punës, ligji për tregti të brendshme, për të cilat Kosova ka nevojë shumë sepse janë në nivel jo të përshtatshëm. Zgjedhjet e reja do ta ngadalësojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit,  edhe pse ka qenë shumë i ngadalshëm”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se këto nisma mund rishikohen nga Qeveria e ardhshme.

“Nga përvojat e Qeverive të mëhershme ka rrezik jo vetëm që të mos përfundojnë por edhe të fillojnë rishikimi nga fillimi i të gjitha atyre nismave që deri tani kanë pas një far niveli të arritjes së përbashkët të mirëkuptimit mes Qeverisë dhe bizneseve”, ka shtuar Krasniqi.

I pari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës ka thënë se Kosova nuk ka investitorë për të humbur.

“Ne aktualisht nuk kemi shumë investitorë të huaj për shkak të mungesës së këtyre ligjeve dhe Gjykatës Ekonomike, investitorët nuk do të ikin sepse nuk kanë ardhur fare dhe me këtë ritëm ka rrezik që të vazhdojnë të mos vinë”, ka thënë ai.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa mendon se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ndikojnë në proceset ekonomike.

Ai në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se kjo gjendje politike do të largoj investitorët e huaj.

“Pas dorëheqjes së kryeministrit, vendi do te shkojë në zgjedhje te parakohshme, zgjedhjet e shpeshta do te ndikojnë qoftë në mënyrë direkte si dhe indirekte, në proceset ekonomike dhe në largimin e investimeve të jashtme, sepse e përkeqëson edhe ambientin e të bërit biznes”, ka thënë ai.

Bellaqa ka shtuar se shtuar gjithashtu se veç kostos të larët për zgjedhje të jashtëzakonshme, stabiliteti ekonomik varet nga stabiliteti politik.

“Stabiliteti politik e përcakton edhe stabilitetin ekonomik, investimet e jashtme vinë në vendin tonë, vetëm nëse ka stabilitet te qëndrueshëm politik, dhe ka ligje të mira dhe të favorshme për të bëre biznes, duke përfshirë politikën fiskale të favorshme, nderimet e shpeshta ndikojnë në mënyrë direkte edhe në largimin e investitorëve të jashtëm për te investuar në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, në fushën e ekonomisë sidomos në sektorët strategjik të ekonomisë, gjithashtu është një kosto e lartë që çdo dy vite të bëhen zgjedhjet”, ka thënë Bellaqa.

Ndryshe, të hënën Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një konferencë për medie ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja do të pauzojnë të gjitha ligjet që janë në procedurë.

“Kanë qenë ligjet më të rëndësishme tatimore në procedurë, kanë qenë shumë projekte apo propozime të rëndësishme sidomos ato për nxitjen e investimeve të huaja direkte, ka pas shumë aktivitetet sa i përket rregullimeve të sektorë të ndryshëm për shembull në sektorin e energjisë apo ndërtimit. Kemi pas një proces të diskutimit apo avancimit të partneritet publiko-privat, në trajtimin e çështjeve që lidhen me informalitetin dhe sigurisht që ky zhvillim i ri politik do të jetë pauzë për të gjitha këto çështje”, ka thënë ai.

Rukiqi ka shtuar se nga praktikat e mëparshme të zgjedhjeve, rënia e Qeverisë, largon investimet e huaja direkte.

“Të gjitha analizat tona në situata të ngjashme kur ka pas rënie të Qeverise apo dorëheqje të kryeministrit e zgjedhje të reja kanë ndikuar në konfidencën e biznesit, profitabilitetin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Të gjitha këto zhvillime kanë pas përmasa jashtëzakonisht negative dhe kësaj here nuk besoj se do të jetë ndryshe”, ka përfunduar Rukiqi.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasditen e të premtes së 19 korrikut ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të Qeverisë.

Këtë vendim Haradinaj e mori pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar gjithashtu se do të ishte poshtërim i Kosovës nëse në Hagë do të shkonte si kryetar i Qeverisë andaj ka zgjedhur të paraqitet si qytetar i saj./Arbresh.info/Agnesa Çitaku

 

Shpërndaje në rrjete sociale