Zgjatet afati i aplikimit për Skemën e Granteve për Energji të Pastër

15:43 | 11 Dhjetor 2025
E.G

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka njoftuar të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme se është zgjatur afati për thirrjen publike për përkrahjen financiare të NMVM-ve në skemën e granteve për energji të pastër të shpallur me datë 10.10.2025. Aplikimi do të vazhdojë të mbetet i hapur deri më 31.01.2025.

Mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Dukatit të Madhe të Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Ndërmarrjet të cilat mund të aplikojnë:

Janë ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), ose janë ndërmarrje të mëdha dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike;
Kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar ose sekondar.
Të gjitha bizneset e interesuara mund të informohen rreth kësaj thirrje publike, duke shqyrtuar me kujdes kriteret dhe kushtet e përcaktuara në udhëzuesit më poshtë. Kjo skemë mbështet bizneset prodhuese dhe përpunuese që duan të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të cilat përfshijnë masat e mëposhtme:

Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.
Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve.
Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:

Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike,
Sisteme solare për ngrohjen e ujit,
Efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
Bateri për sisteme solare FV, si dhe
Shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.
Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:

deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.

Shpërndaje në rrjete sociale