Zëvendës-ministrat i dorëzojnë raportet e punës te kryeministri Haradinaj

23:18 | 2 Maj 2018

Zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj i kanë qitur në letër të gjitha punët dhe angazhimet që ata kanë kryer që nga emërimi i tyre.

E ato raporte zëvendësministrat më pas i kanë paraqitur në zyrën e shefit të tyre, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit në një mbledhje me të gjithë zv/ministrat u kishte kërkuar atyre qe të raportojnë për punën e tyre 100 ditëshe.

Ndonëse afati për dorëzimin e raporteve ka qenë në fillim të prillit, ato janë dorëzuar vetëm në këtë kohë, madje ende jo nga të gjithë.

“Pjesa më e madhe e zëvendësministrave tashmë kanë dhënë një raport zyrtar në Zyrën e Kryeministrit për punën e tyre”, është thënë në një përgjigje për Indeksonline nga Zyra për Informim në Qeverinë e Kosovës.

Nga këto raportime, kryeministri Haradinaj  kishte kërkuar që të jepen detaje rreth punëve konkrete që janë bërë në ministri të ndryshme përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të tyre.

Qeveria e Kosovës tanimë ka 21 ministri dhe gjithashtu mbi 70 zëvendësministra. Ketë numër të lartë të ministrave dhe zv/ministrave e ka komentuar edhe sot gjatë ditës përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova. Ajo ka thënë se është e dhimbshme kur flitet për administratën publike, e Kosova është vendi që ka 80 zëvendësministra.

“Ne dëshirojmë të shohim paratë të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo për paga të zëvendësministrave”, ka deklaruar, Apostolova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara