Zbardhet dëshmia e Arjeta Roshajt që dyshohet se vrau 32 vjeçarin në Ferizaj

17:40 | 30 Qershor 2026
E H

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e F.H., në Ferizaj. Sipas vendimi të Gjykatës, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se nga tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde” dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të dyshuarës Roshaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Genc Kadriu, në seancë dëgjimore, duke dhënë detaje për deklarimin e të mbrojturës së tij, tregoi se si ndodhi i gjithë rasti.

Roshaj ka deklaruar para hetuesve se viktima pak kohë para dërgimit të mesazhit të lartpërmendur, ia kishte dërguar edhe një mesazh tjetër me fjalën “qele”.

Në vendim thuhet se në ato momente, e pandehura nga vrima vëzhguese e derës së banesës e sheh se para derës se saj ndodhet tani i ndjeri F.H., duke e pritur. Aty thuhet se kjo situatë të dyshuarën e vendosi në shok të rëndë sepse nuk e kishte pritur se tani i ndjeri realisht të shkonte te banesa, pasi siç ka thënë e pandehura i njëjti edhe në 3-4 raste të tjera e ka kërcënuar në mënyrë të njëjtë, por nuk ka shkuar asnjëherë.

Gjithnjë sipas vendimit, pasi F.H., ka hyrë në banesë, e kapë për flokë të dëmtuarën dhe fillon ta godasë në kokë. Në vendim, theksohet se e pandehura në vazhdimësi ka qenë e sulmuar dhe në atë moment e mori një shishe të xhamit me qëllim që ta frikësojë viktimën që mos ta vazhdojë sulmin, ku vetë e pandehura ka marrë lëndime trupore gjatë kësaj përleshjeje fizike.

Në vendim thuhet se gjatë gjithë kësaj kohe, tani i ndjeri e ka pasur armën në dorë dhe për një moment gjatë përleshjes e pandehura arrin t’ia marrë armën nga dora pasi që në një dhomë tjetër në atë banesë kanë qenë edhe prindërit e të pandehurës, e kështu të mos ndodh ndonjë e keqe. Në momentin kur e kapë armën në dorë, viktima thuhet se deklaroi që tani i ndjeri kthehet me shpinë nga tavolina dhe në atë moment të pandehurës i shkrep arma, ku si pasojë mbeti i vrarë F.H.

Shpërndaje në rrjete sociale