VV: Mund të ketë bashkëpunim në të ardhmen me PDK-në, duhet rrëzimi i Qeverisë Hoti

00:00 | 2 Dhjetor 2020

Lëvizja Vetëvendosje po thotë së dëshiron bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës për ta rrëzuar Qeverinë Hoti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se oferta për Partinë Demokratike të Kosovës për t’u bërë bashkë për mocionin e rrëzimit të Qeverisë Hoti është e hapur.

“Tekstin e mocionit mund ta dakordojmë, ata nuk e kanë problem këtë. Por ata e kanë problem marrëveshjen, ata duan që prej tash të ketë marrëveshje për mënyrën e qeverisjes. Ne ftojmë PDK-në prej tash që ta rrëzojmë Qeverinë Hotin. Duhet së paku 40 nënshkrime, nuk mund të ketë mocion të ndryshëm por të njëjtë nga të dy subjektet”, tha Aliu në Klan Kosova.

Deputeti i VV’së po thotë se PKD’ja dëshiron një lloj marrëveshje për të ardhmen, mirëpo sipas tij VV nuk mund ta pranon këtë pasi është problematike dhe se duhet të ndërtojnë një mirëbesim për PDK’në që ndoshta të ardhmen mund të bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

“Ne nuk mund të bëjmë marrëveshje se çfarë ndodh në të ardhmen bazuar në praktikat e mëparshme. Ata kërkojnë me doemos një lloj garanci, apo një lloj dakordance, një lloj marrëveshje që për ne është problematike sepse qeverisja e kohës së PDK’së dhe kësaj të tanishme nuk kanë ndonjë ndryshim. Ne duhet të ndërtojmë një far mirëbesim që të mund ndoshta të ardhmen që të bashkëpunojmë për të mirën e vendit”, tha Aliu.

Aliu tha se Vetëvendosje mund të bashkëpunon me PDK’në në të ardhmen pasi beson se ka forca politike progresive që duan çkapjen e shtetit.

Ai përmendi se ka edhe miq brenda PDK’së, siç është deputeti Bajrush Xhemajli me të cilin ka qëndruar në burg dikur me një dhomë.

“Ne duam ndryshimin, sa do të jetë e arritshme nuk e di, ne duam ndryshimin e subjekteve politike, sikurse brenda LDK’së që ne besojmë në forca progresiste që duan çkapjen e shtetit, unë mendoj që edhe brenda PDK’së janë do shok që unë kam qenë burgjeve me ta, që kanë qenë të fortë nëpër burgje, kanë qëndruar mirë, respektin për ta vazhdojë me pas, është Bajrush Xhemajli, kam qenë me një dhomë me të, respektin tim sun ma luhat asnjë situatë politike”, tha Aliu.

Lajmet më të lexuara