Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për siç ka thënë “shpejtësinë e pazakonshme për sistemin e drejtësisë në Kosovë, në rastin e dënimit të një qytetari të shqetësuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, i cili paska “kërcënuar” ministrin Arban Abrashi dhe djalin e kryeministrit”.
Dhe kjo “shpejtësi” e sistemit të drejtësisë sipas VV-së po ndodh pikërisht në kohën kur vetëm kryeministrit i trajtohen tash e dy vite 70 lëndë për krime e korrupsion.
Ja reagimi i plotë i VV-së:
Sot, me një shpejtësi të pazakonshme për sistemin tonë të drejtësisë, u dënua një qytetar që i shqetësuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, paska “kërcënuar” ministrin Arban Abrashi dhe djalin e kryeministrit.
Derisa vetë kryeministrit i trajtohen tash e 2 vite 70 lëndë për krime e korrupsion; derisa djemtë e tij tash e 2 vite kanë procese të hapura për keqpërdorime; derisa gjithandej nëpër media raportohet nepotizmi me tendera i kryeministrit Mustafa; derisa Ramadan Muja i PDK-së tash e 2 vite nuk gjykohet për keqpërdorimet e komunës… gjykatat e Isa Mustafës godasin qytetarët, vetëm atëherë kur cenohen familjarët apo ministrat e tij.
Ditëve të fundit e pamë hapur se si preokupimi kryesor i kësaj qeverie është ruajtja e pronave të veta private. Qeveria nuk brengoset aspak për shtetin që po e defunksionalizon dhe ndanë etnikisht, nuk brengoset aspak për gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve që po ua rritë çmimet. Qeveria brengoset vetëm kur janë në pyetje djemtë e kryeministrit, ministrat dhe familjet e pronat e tyre private.
Para disa ditësh, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Fisnik Ismaili u kërcënua publikisht nga Ramiz Hoti, zyrtar i Policisë së Kosovës. Askush nuk ndërmori asgjë për këtë rast. Ndërkaq, para ca kohësh, një zyrtar tjetër policor me emrin Samet Uka kërcënoi deputetin e VETËVENDOSJE!-s Albin Kurti me “kallje me benzinë”. Askush nuk ndërmori asgjë për këtë rast.
Ne nuk e kuptojmë se çfarë shteti demokratik e i drejtë qenka ky, që kur kërcënohet djali i kryeministrit apo ndonjë vartës i tij, reagon Policia me shpejtësi enorme dhe gjykata bëhet jashtëzakonisht efikase, ndërsa kur një zyrtar i shtetit kërcënon deputetin e opozitës, as nuk merret në pyetje nga policia se lëre më të arrestohet apo dënohet.
Tijana Veljkoviq emërohet zëvendësministre në Ministrinë e K...
Sveçla: Kujtimi për viktimat e marsit 2004 është obligim i p...
Shqipëria shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit, reago...
Lulzim Hetemi emërohet zëvendësministër në Ministrinë për Ko...
Baton Zabërgja ftohet nga Kosova për ndeshjen vendimtare nda...
Pakistani kryen sulm në një spital në Afganistan, të paktën ...