Vuçiq tregon me emër pjesëtarin e policisë serbe që ka plaçkitur shqiptarët gjatë luftës në Kosovë

18:20 | 28 Dhjetor 2020

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi një ditë më parë koloneli i pensionuar i policisë serbe, Slavko Nikiq, e ka akuzuar atë për tradhti.

Vuçiq ka thënë se ishte pikërisht Nikiq ai që ka grabitur shqiptarët në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Vuçiq tha për mediat serbe se ekzistojnë dokumente zyrtare, të cilat vërtetojnë se më 1 prill 1999, në pikën e kontrollit “Jargova cesma”, në rrugën kryesore Mitrovicë-Ribariç-Rozhajë, Nikiq me gjashtë persona të paidentifikuar, të veshur me uniforma të maskuara dhe të armatosur me pushkë automatike, kanë ndaluar automjetet dhe i kanë plaçkitur udhëtarët [civilët shqiptarë të përndjekur nga forcat serbe], transmton Telegrafi.

Presidenti serb shtoi se Nikiq i ka ndaluar njerëzit, ndër ta edhe një major të ish-ushtrisë jugosllave, komandant i brigadës nga Novi Pazari, “dhe civilët shqiptarë nuk i ka lejuar të shkonin në Malin e Zi, por i ktheu ata dhe u konfiskoi ar, stoli, para dhe sende të tjera me vlerë”.

“Unë jam gjithmonë tradhtar për njerëz si ky [Nikiq], sepse do të mbroj pronën e njerëzve, nuk më intereson se cilit komb i përkasin. Unë kurrë nuk do t’i plaçkis”,tha Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara