Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në Kosovë do të ndodhë diçka që “nuk e kemi parë më parë”, ndërsa situatën aktuale e vlerësoi si më të vështirën deri më tani.
“Kam frikë nga destabiliteti, madje edhe nga konfliktet e mëdha, sepse e di që serbët nuk mund të durojnë më, derisa ky [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti] ëndërron të jetë [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky”, tha Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.
Deklarata e tij vjen pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të futen në zyrat e tyre komunale, më 26 maj.
Ky veprim u kundërshtua ashpër nga popullata vendase serbe, e cila u përlesh me policinë.
“Sonte kam marrë lajme nga zyrtarët evropianë se janë të shqetësuar për ngjarjet e mundshme nesër, sepse serbët patjetër do të protestojnë dhe do të kërkojnë kthimin e objekteve të tyre të uzurpuara”, tha Vuçiq.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e komunave të hyjnë me forcë në ndërtesat komunale dhe u bëri thirrje autoriteteve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të tërhiqen.
Aleanca ushtarake e NATO-s, gjithashtu, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që menjëherë ta shtensionojnë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por shtoi se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”.
Këta kryetarë dolën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb./rel
Një grua bie nga ura e re e Ibrit, shpëtohet nga një polic –...
Sunderland ndal Manchester Cityn, Arsenal mbetet në krye të ...
Egjipti, Katari dhe Turqia paralajmërojnë Hezbollahun: Dorëz...
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuari...
Një natë pas Vitit të Ri, Prishtina renditet e 22-ta në botë...
Një shtetas turk 22-vjeç i vrarë në Çarshinë e Shkupit – I d...