Vuçiq: Prisja që Trump të ishte më i ashpër ndaj qeverisë së Kurtit

10:22 | 10 Mars 2026
E.K

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se kishte shpresuar që presidenti amerikan Donald Trump të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj qeverisë së Albin Kurti në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, Vuçiç tha se nuk është plotësisht i kënaqur me disa vendime të administratës amerikane, duke përfshirë edhe zbatimin e sanksioneve ndaj kompanisë Naftna Industrija Srbije, të vendosura fillimisht nga ish-presidenti amerikan Joe Biden në fund të mandatit të tij.

“Amerikanët na kanë ndihmuar shumë në rajon duke garantuar paqe dhe stabilitet në Bosnje dhe Hercegovinë. Megjithatë, shpresoja që ata të mbanin një qëndrim më të ashpër kundër regjimit të Kurtit në Kosovë. Ata po provokojnë të gjithë serbët që jetojnë atje”, tha Vuçiç.

Ai kritikoi gjithashtu forumin e Bordit të Paqes, ku sipas tij presidentja e Kosovës Vjosa Osmani paraqitet si “ylli kryesor”, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të pritej nga administrata e Trumpit.

Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, Vuçiç theksoi se Beograd po intensifikon përpjekjet për t’u afruar me Bashkimin Evropian, megjithëse nuk pret që Serbia të bëhet anëtare e plotë në një të ardhme të afërt.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të pranojë rekomandimet e BE-së dhe t’i paraqesë ato në parlament. Ai shtoi se mbështet një model të “Evropës me disa shpejtësi”, një ide që e përkrah edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Besoj në tregun e përbashkët dhe në një Evropë pa kufij. Nëse do të mund të bëheshim pjesë e BE-së politikisht dhe ekonomikisht edhe pa të drejtë vote, pa veto dhe pa komisioner tonin, kjo do të na bënte shumë të lumtur”, tha Vuçiç.

Ai mohoi se Serbia kërkon të përfitojë nga tregu i përbashkët dhe zona Shengen pa përballur presion për më shumë sundim të ligjit dhe demokratizim, duke theksuar se vendi i tij do të duhet të përballet me këto kërkesa.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se marrëdhëniet me Moskën ishin më të ftohta dhe konfirmoi kërcënimet ruse për të ndërprerë furnizimet me gaz.

“Ne kishim marrëdhënie tradicionalisht të mira, por më duhej të mbroja interesat kombëtare të Serbisë. Ne nuk jemi kukulla të askujt”, tha ai.

Sipas Vuçiç, Moskës i është raportuar se Serbia eksportoi municione në Ukrainë përmes ndërmjetësve.

Ai tha se sanksionet e Thesarit të SHBA-së të vendosura ndaj kompanisë kombëtare të naftës NIS ngadalësuan rritjen ekonomike të Serbisë. Ai tha se Beogradi diskutoi tubacionet e reja që do të ndërtohen deri në vitin 2035 me Komisionin Evropian, duke shtuar se “fonde të konsiderueshme” do të investohen në infrastrukturën e industrisë së energjisë me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.