Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Skender Krasniqit, i cili po akuzohet për vrasjen e F.Z. vitin e kaluar në Zllakuqan të Lipjanit, pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, u dëgjuan dëshmitari Ilir Zani dhe bashkëshortja e të akuzuarit, Krenare Krasniqi.
Në këtë seancë, dëshmitari Zani e vazhdoi dëshminë e lënë në gjysmë nga seanca e kaluar më 24 shkurt 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Zani theksoi se ngjarja ndodhi aty për aty, ndërsa paraprakisht kishin tentuar t’ia largonin thikën të miturit T.K.
“Thikën e kam pa përballë, se ne paraprakisht kemi tentu me ia hekë thikën”, tha Zani.
Ndërsa dëshmitarja Krasniqi deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të dhëna në prokurori, ndërsa theksoi se rastin nuk e kishte parë.
“Rastin se si ka ndodhur, me sytë e mi nuk e kam pa”, tha Krasniqi.
Ajo tha se kishte hyrë brenda në shtëpi dhe nga ai moment nuk kishte parë asgjë se çfarë kishte bërë bashkëshorti i saj, tani i akuzuar, dhe djali T.
Ndërsa, e pyetur se si kishte kuptuar lidhur me ngjarjen, dëshmitarja Krasniqi deklaroi se vetëm kur kishte parë policinë.
“Erdhën policia, e morën dhe e dita që diçka paska ndodhur. Unë pasi e kam dëgju zërin e familjarëve të të ndjerit kuptova se diçka ka ndodhur”, tha Krasniqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhur në të njëjtën ditë mes djalit të tij – të miturit T.K., dhe të miturit A.Z., djalit të dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i të ndjerit F.Z., lidhur me komunikimet e tyre në rrjetin social TikTok, ku i mituri T.K. përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z.
Aktakuza thotë se derisa tani i ndjeri F.Z. ishte kthyer nga puna dhe posa kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur, ishte nisur drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhur.
Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z. kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohej pasi nuk e dinte çfarë kishte ndodhur. Më pas nga shtëpia kishte dalë tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit, ku ishin tani i ndjeri F.Z. dhe dëshmitarët I.Z. dhe F.K., e më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.
Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z. dhe dëshmitari I.Z. nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K. duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit. F.Z. dhe I.Z., të mllefosur, nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, ndërsa i mituri T.K. në dorë mbante një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.
Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K. dhe B.K., dhe palët kishin filluar të ndahen. I.Z. u nis në drejtim të rrugës, e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K. dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Si pasojë, rreth orës 13:02 ai dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.
Me këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas pikës së dytë të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar, në kundërshtim me ligjin për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., si dhe tri thika të tjera që i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të tij dhe që janë sekuestruar.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Real Madrid fiton në minutën e fundit të ndeshjes, mban hapi...
Therja me thikë në Mitrovicë të Veriut, kapet një i dyshuar
Gërxhaliu ndan pamje emocionuese nga rivarrimi i Jasharajve
Situata në Lindjen e Mesme, Hoxha: Siguria e shtetasve shqip...
Starmer i lejon ShBA’së përdorimin e bazave ushtarake, një b...
Parashikimi i motit për nesër