Votohet rishikimi i buxhetit të komunës së Gjakovës

16:15 | 25 Maj 2016
M. A.

Me vetëm një pikë të rendit të ditës në të cilën u bë rishikimi i buxhetit të Komunës së Gjakovës për vitin 2016, u mbajt sot mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjakovës. .

Fillimisht zyrtari i Drejtorisë së Financave, Xhavit Uka ka prezantuar lëvizjet buxhetore në disa pika ku sipas tij janë lëvizur nga buxheti 170 mijë euro dhe kanë ndërruar destinim, por që ato kanë mbetur sërish në buxhetin e komunës.

 

“Drejtoria për Buxhet dhe Financa duke u bazuar në shkresën për rishikimin e buxhetit për vitin 2016 01 nr. 978 të datës 13 maj duke marrë parasysh se kategoritë ekonomike nuk mund të ndryshohen sepse nuk lejohen me ligjin mbi menaxhimin e financave dhe përgjegjësitë. Në materialin që u kemi dorëzuar ën mënyrë të shkruar..”, tha Uka.

Pas shumë diskutimeve nga këshilltarët komunalë si të pozitës dhe opozitës kryesuesi i Kuvendit Luan Gola ka potencuar se lëvizjet buxhetore nuk iu shkaktojnë dëm qytetarëve, përkundrazi ky rishikim bëhet vetëm e vetëm që paratë të shfrytëzohen në mënyrë sa më të mbarë.

 

“Ju e keni marrë vendimin që të mbahet mbledhja e Bordit dhe të përgatitet materiali i rishikimit. Çdo paqartësi këtu ose çdo moment i paqartësisë këtu jen si rezultat që Bordi i ka pru në zyrë dhe nuk është as zyra e kryesuesit dhe as sekretaria, janë materiale që na kanë ardhë prej bordit”, tha Gola.

Me shumicë votash rishikimi i buxhetit është miratuar./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale