Vlora Çitaku e uron Vjosa Osmanin: Zgjedhja e një grua për herë të dytë si presidente, shenjë emancipimi

20:39 | 4 Prill 2021

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës, pasi mori 71 vota nga deputetët në raundin e tretë të votimit në Kuvend. Osmanin e ka uruar edhe Vlora Çitaku.

Në urimin e saj, Çitaku ka përmendur faktin se Kosova për herë të dytë po zgjedh për presidente një grua.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjodhi zonjën Vjosa Osmani Sadriu Presidente të Republikës. Si qytetare e Kosovës, i uroj Presidentes së posazgjedhur Znj. Vjosa Osmani sukses dhe mbarësi! Si demokraci e re, fakti që për herë të dytë brenda 13 vitesh zgjedhim një grua në krye të shtetit duhet parë si shenjë emancipimi”, ka shkruar Çitaku.

Por, ajo është përkujdesur që të bëjë thirrje, që tani është momenti të eliminohen polarizimet dhe urrejtja politike që ekziston në vend.

“E tash, Kosova ka para vetes shumë sfida të cilat kërkojnë koncensus, bashkërendim dhe maturi. Është momenti i fundit që të eliminojmë polarizimet e rrezikshme dhe urrejtjen patologjike e cila tash e shumë vite dominon në skenën tonë politike! Ju priftë e mbara!”, ka shkruar Çitaku në Facebook./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara