Festa e Vidovdanit kësaj radhe në Kosovë do të festohet pa simbole serbe, kështu të paktën sugjeron vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky vendim pritet të ndikojë edhe në eskalimin e situatës së sigurisë në veri të vendit.
Kështu thotë për Arbresh.info eksperti i sigurisë, Drizan Shala i cili thekson se kjo mund të shihet si provokim.
“Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e simboleve shtetërore serbe, përfshirë flamurin dhe elementë të tjerë në hapësirat publike, mund të shihet si provokim nga strukturat paralele dhe qytetarët lojalë ndaj Serbisë, sidomos në ditën e Vidovdanit kur ekspozimi i këtyre simboleve është i zakonshëm.”, ka thënë Shala.
Mes të tjerash ai thekson edhe se Beogradi mund të aktivizojë struktura të koordinuara (CSINO, KOVSS, ORID), po ashtu të organizojë tubime të orkestruara me pjesëmarrës të sjellë nga Serbia
“Përdorim të elementëve të Kishës Ortodokse si paravan për mesazhe politike”, shtoi ai.
Sipas tij, në përshkallëzimin e situatës në veri mund të ndikojë edhe bastisja e fundit në pronën e politikanit Arsenijeviq dhe ekspozimi i strukturave ilegale.
Ai ka numëruar edhe disa nga rreziqet konkrete të sigurisë si:
• Përplasje mes policisë dhe civilëve gjatë tentativave për të penguar përdorimin e simboleve
• Provokime të inskenuara, ku pjesëmarrësit mund të përpiqen të “dokumentojnë” shkelje të të drejtave të tyre për përdorim propagandistik nga Serbia
• Ndërhyrje nga grupe të trajnuara ose persona të infiltruar për të provokuar kaos të kontrolluar dhe më pas për të akuzuar institucionet e Kosovës për represion
Shala përfundon se situata kërkon kujdes të shtuar institucional dhe bashkërendim të ngushtë të strukturave të sigurisë për të parandaluar çdo formë destabilizimi në Veri të vendit.
Edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka paralajmëruar rrezik nga organizimet e mundshme për këtë festë.
Sipas tij, nga institucionet e sigurisë kanë informacione që se ka përpjekje nga ana e pushtetit në Serbi, që sot, ditën e Vidovdanit të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan.
Kurti tha se grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Herecegovina janë organizuar që të vijnë në Kosovë nesër. Kurti tha se pushteti i Vuçiqit në Serbi do të tentojë ta përdorë festën e Vidovdanit për të nxitur incidente, në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen nga protestat anti-regjim në Beograd.
Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos lejojnë të shfrytëzohen për qëllime politike.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan’.
Me anë të një njoftimit, policia ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.
Ndryshe, Vidovdani është festë fetare serbe që festohet më 28 qershor (sipas kalendarit gregorian) ose më 15 qershor (sipas kalendarit julian) në përdorim nga ortodoksët serb për të nderuar Shën Vitusin.
Kisha serbe e cilëson atë si një ditë përkujtimore për Shën Princ Lazarin dhe dëshmorët e tjerë të cilët ranë në Betejën e Kosovës e cila u zhvillua në vitin 1389 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe forcave ballkanike në një front të përbashkët ndër ta edhe shqiptarët. Megjithatë kjo betejë është përdorur vazhdimisht si argument nga serbët mbi të drejtën e tyre për sundim në tokën që nuk iu ka takuar historikisht./Arbresh.info
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...
Milaim Zeka paraqitet në SPAK
Surprizohen fëmijët e shtrirë në Pediatri, “Super-heronjtë” ...
PDK-ja në Ferizaj publikon listën me kandidatët për deputetë