Vettingu në drejtësi, kujt po i pengon?

12:22 | 23 Qershor 2020

Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, që grupit të ekspertëve për procesin e vettingut në drejtësi, t’i bashkohen edhe akterë të tjerë të sistemit të drejtësisë në Kosovës, por edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, po shihet si tendencë për zvarritje të këtij procesi nga shoqëria civile.

Pas takimit të parë që kanë pasur të hënën me një pjesë të grupit të ekspertëve, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, kanë kërkuar që të ketë gjithëpërfshirje në këtë proces.

Për vettingun në drejtësi apo procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë, u kërkua ndihma e një grupi të ekspertëve të pavarur, të cilët do të ofronin skenarin e reformës në vetting në sistemin e drejtësisë.

Puna e këtij grupi i cili është themeluar nga ana e qeverisë së kaluar, sipas zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, duhet të vazhdojë, në përzgjedhjen e modelit të vettingut në Kosovë.

“Ky grup të vazhdojë punën, por të komplementohet edhe me hisedarë tjerë, përfshirë këtu partnerët ndërkombëtarë, dhe jo vetëm partnerët ndërkombëtarë, por edhe institucionet tjera të drejtësisë në Kosovë”, tha Selmanaj.

Nevoja që të ketë gjithëpërfshirje sipas ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, ka ardhur pas takimeve që ka pasur me përfaqësues të organeve të drejtësisë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e këtij procesi.

Sipas tij, vetëm me gjithëpërfshirje mund të ketë objektivitet.

“Ky objektivitet duhet të formohet edhe me ato palë që potencialisht nuk mund të pajtohen mes veti, por këto mos pajtime dhe gjetjen e asaj të vërtetës, duhet që t’i diskutojmë në një tavolinë bashkë”, tha Selimi pas takimit me grupin e ekspertëve.

Përfaqësues të këtij grupi, që në këtë takim nuk ishin të gjithë, nuk ka pranuar të flasin për të komentuar këtë propozim, por thanë se pasi të takohet komplet grupi, do të dalin me një qëndrim publik lidhur me këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar drejtoreshën e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, Arbresha Loxha, si dhe drejtorin e organizatës ‘ÇOHU’, Arton Demhasaj.

Ata kanë thënë se pasi të marrin me shkrim propozimin e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, do të reagojnë po ashtu me shkrim.

Tendencë për zvarritje të procesit të vettingut

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, kur ministre e Drejtësisë ishte Albulena Haxhiu, Qeveria e Kosovës kishte votuar themelimin e grupit punues të ekspertëve të pavarur për skenarin e reformës në vetting në sistemin e drejtësisë.

Ish-ministrja thotë për Radion Evropa e Lirë se ky propozim është tendencë për ta zvarritur dhe për ta prishur punën e mirë që e ka nisur grupi i ekspertëve dhe se nuk ka asnjë të mirë prapa këtyre qëndrimeve të qeverisë.

Ajo thotë se në kohën kur është formuar grupi, kishin kërkuar që në këtë grup të përfshihen edhe Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, por këshillat përkatës nuk i kanë dërguar asnjëherë emrat në grupin e ekspertëve.

“Ajo që është dashur të bëhet në këtë drejtim, është dashur që të lihet grupi i ekspertëve që ta sjellë raportin apo skenarët se si në Kosovë mund të bëhet vettingu dhe t’ia dorëzojë Ministrisë së Drejtësisë punën që ata e kanë nisur. Ne kemi thënë që do ta bëjmë në bashkëpunim me përfaqësues të ambasadave në Kosovë, por vetëm pasi grupi i ekspertëve të kryejë punën e tyre, skenarët që ata i propozojnë të diskutohen me ambasadat përkatëse”, thotë Haxhiu.

Propozimin e ministrit të Drejtësisë, si tendencë për zvarritje dhe prolongim të procesit e sheh edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij, nuk është e nevojshme që të ketë përfaqësues të tjerë në këtë grup punues, pasi gati çdo gjë ka përfunduar.

“Ne si IKD konsiderojmë se këtij grupi punues nuk duhet t’i shtohet asgjë më shumë sepse puna e tij pothuajse ka përfunduar dhe kjo punë duhet që t’i nënshtrohet debatit publik, ndërsa në këtë pjesë të debatit publik, duhet patjetër të jenë hisedarë edhe ekspertët sidomos ata që vijnë nga ambasada amerikane, ajo britanike, por edhe të Bashkimit Evropian”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ky dokument duhet që të bëhet publik dhe më pas kritika në publik, duhet që të pasurojë këtë dokument nga ekspert vendorë, por po ashtu edhe nga ekspertët ndërkombëtarë.

Pjesë e grupit punues të ekspertëve të pavarur, që duhet të prezantojnë skenarët dhe propozimet e tyre se si do të duhej të bëhet vettingu në drejtësi në Kosovë, janë profesorë universitarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe janë angazhuar pa pagesë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara