Versioni i Sali Zybës për rrethojat e objektit të vëllait të Hashim Thaçit

10:40 | 6 Prill 2016
M. A.

Inspektori komunal i Prishtinës dhe aktivisti i VV-së, Sali Zyba, ka folur për vendimin e tij që kompanisë së vëllait të Hashim Thaçit t’ia largojë rrethojat e objektit në ndërtim.

Në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi në zyrën e tij Sali Zybën, Drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, drejtor komunal i Urbanizmit, e kishte lidhur arrestimin e Zybës me vendimin e tij për t’ia larguar rrethojën kompanisë ‘Ilirian Building’ e cila është në bashkëpronësi të Blerim Thaçit dhe Milaim Cakiqit.

“Ishte Salihu ai që i caktoi afatin për lirimin e pronës së uzurpuar nga kompania e vëllait të Hashim Thaçit”, kishte shkruar Aliu duke shtuar as se komuna e as Salihu nuk mund të ndalohen me arrestime.

I kontaktuar pas lirimit Sali Zyba, nuk ka dashur që të komentojë se çfarë ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai ka shtuar se as nuk e ka ditur se kush është pronar por ka konfirmuar se ka nxjerrë një vendim me të cilin kompanisë ku bashkëpronar është vëllai i Presidentit në ardhje i ka kërkuar ta largojë rrethojën.

“Ata nuk janë pajisë ende me leje dhe për shkak të punimeve, uzurpuesit e kanë shtri rrethojën edhe në parcelë komunale. Janë ankuar qytetarët dhe ne kemi shku në vend të ngjarjes. Kemi dhënë urdhëresë për lirimin e hapësirës komunale. Gati sa parcela private është edhe parcela komunale”, ka thënë Zyba për KALLXO.com.

Sa i përket arrestimit të tij, Zyba tha se arrestimi nuk ndërlidhet me vendimin e tij duke mos dashur të komentojë atë çfarë kishte pretenduar Liburn Aliu.

Shpërndaje në rrjete sociale