Vajza e Salih Mustafës flet nga Haga, tregon mesazhin që ia la babai

16:48 | 16 Dhjetor 2022
E.H

Vajza e komandat “Calit”, Buna Mustafa ka reaguar pasi babai i saj u shpall fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash të vitit 1999.

Mustafa përmes një postimi në Facebook nga Haga ka thënë se kjo është një sfidë shumë e madhe për familjen dhe përulje tjetër për kombin shqiptar.

“Unë sapo dola nga vizita me babin. Nuk kam pasur asnjëherë bisedë më të dashur, më të çlirët dhe më të ndjerë me të. Babi ishte më i fortë se kurrë e më kokëlartë se kurrë”, ka shkruar Buna Mustafa.

Ajo tutje ka bërë të ditur edhe mesazhin që i ka dhënë i ati.

“’Patriotizmi në ditë të sotme tregohet përmes punës së juaj të ndershme, arritjeve të juaja. Serbët nuk i keni më aty. E ata që ju respektojnë, i respektoni dy herë më shumë’. Kjo ishte një pjesë e bisedës sonë sot, ku përçohet edhe morali i lartë i babit. Faleminderit familjarëve, miqve të afërt dhe të gjithë popullit për këtë përkrahje! Por, edhe unë kam të njëjtën pyetje: ‘Në emër të cilit popull?’”.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë, e ka dënuar Salih Mustafën me 26 vjet burgim si dënim të njësuar. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme