Urbanizimi i pakontrolluar, shkaku kryesor i vërshimeve të fundit

23:11 | 13 Janar 2026
E.G

Urbanizimi i pakontrolluar i vendbanimeve, veçanërisht ndërtimet e shtrira shumë pranë rrjedhave të lumenjve, po konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të vërshimeve të fundit në vend.

Ekspertë të fushës së urbanizmit vlerësojnë se distanca minimale e lejuar për ndërtim pranë lumenjve është rreth 100 metra, megjithëse kjo mund të ndryshojë në varësi të pozitës gjeografike dhe karakteristikave të terrenit. Sipas tyre, në praktikë ky kriter nuk është respektuar në shumë komuna.

Arkitekti i urbanizmit, Shqiprim Ahmeti, thotë se mungesa e zbatimit të rregullave ka ardhur si pasojë e planifikimit të vonuar urban. Sipas tij, në shumicën e rasteve planet janë hartuar pasi vendbanimet tashmë janë zhvilluar, e jo paraprakisht, çka ka krijuar situatë të paqëndrueshme në terren.

Të dhënat nga regjistrimi i vitit 2024 tregojnë se rreth 80 për qind e popullatës jeton përgjatë rrjedhave të lumenjve. Ndërkohë, hulumtimet dhe hartat e rrezikut nga përmbytjet, të cilat paralajmërojnë qartë këto dukuri, kanë ekzistuar që më shumë se 40 vjet më parë, por sipas ekspertëve nuk janë marrë parasysh në procesin e planifikimit hapësinor.

Profesori i hidrologjisë në Universitetin e Prishtinës, Valbon Bytyqi, thekson se përvoja nga vërshimet e kaluara dhe studimet e hershme kanë shërbyer për përcaktimin e zonave të rrezikuara nga përmbytjet. Ai sqaron se që nga vitet ’70 kanë ekzistuar harta që parashihnin ndërtimin e shtretërve të lumenjve, zonave mbrojtëse dhe digave, me qëllim që të parandalohej zgjerimi i pakontrolluar i rrjedhës së ujit dhe përmbytja e rrafshit aluvial.

Sipas ekspertëve, rreziku nga përmbytjet po rritet edhe në zonat rurale, për shkak të ndërtimit të mureve rrethuese në oborret e shtëpive, të cilat pengojnë qarkullimin natyror të ujit dhe e përkeqësojnë situatën gjatë reshjeve të dendura./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale