Uji i pijshëm dhe një shesh i ri në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi tregon prioritetet për mandatin e ardhshëm

13:03 | 12 Korrik 2025
E.K

Në një intervistë për Arbresh.info, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi ndan me ne sfidat kryesore që është përballuar, prioritetet për të ardhmen dhe besimin e tij në potencialin e qytetarëve të Hanit të Elezit.

“Faleminderit fillimisht për mundësin që më dhatë për të diskutuar çështjet shumë të rëndësishme të Hanit të Elezit, kur unë e kam marrë mandatin i kemi pasur tri objektiva shumë të rëndësishme që më pas të ndahen në disa nën objektiva të tjera, të cilat janë, edukimi arsimor, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik”, tha Ballazhi.

Tutje, ai tregoi edhe ndryshimet e dukshme që janë bërë gjatë mandatit të tij dhe që qytetarët mund të i vërejnë lehtësisht.

“Maksimalisht në punën dhe angazhimet tona kanë qenë te arsimi ku kemi bërë digjitalizimin në shkolla, te shëndetësia ka qenë shërbimi ndaj qytetarëve, funksionalizimi i AMF-së në fshatin Gorancë, stomatologjia që ishte jashtë funksionit dhe furnizimi me barna esenciale aty ku ka pas mungesë, te zhvillimi ekonomik ka qenë ambienti dhe turizmi që jep një zhvillim të hovshëm, po ashtu ne e kemi mendu që ambienti të jenë çështja kryesore, parqet zakonisht, deri më tani katër parqe i kemi ndërtuar, po ashtu edhe kulturën, sepse këtë vite e kemi pasur edicionin e tretë të festivalit mbarëkombëtarë folklorik që ka pasur pjesëmarrje nga Maqedonia, Mali zi dhe vende tjera të ndryshme”, u shpreh Ballazhi.

Një nga premtimet e tij në fushatën e kaluar ishte punësimi i barabartë për burra dhe gra në këtë komunë, gjë që Ballazhi thotë se e ka realizuar.

“Në fakt ne nuk e kemi realizuar premtimin e saktë sepse e kemi tejkaluar barazinë gjinore, në fillim kam premtuar se kabineti do të jetë i përbërë 50% gra dhe 50% burra, në fakt ne e kemi tejkaluar këtë numër dhe tani janë më shumë se 50% gra dhe më pak burra, pra kemi bërë një diskriminim por është një diskriminim pozitiv, kjo ka ndodhur sepse ne e kemi nda drejtorin që ka qenë e përbashkët, drejtoria e kulturës rinisë dhe sportit, është nda secila veç e veç, dhe kjo ka ndikuar që të prishet kjo barazia gjinore”, tha ai.

Njëra ndër problemet kryesore që është përballur kjo komunë ka qenë edhe furnizimi me ujë të pijshëm, Ballazhi tha se kjo gjendje është stabilizuar, por që ka ende punë.

“Nuk mund të themi se e kemi zgjidhur plotësisht por e kemi stabilizuar gjendjen, fillimisht ka qenë problemi i menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit dhe fabrikës së ujit, ne kemi arritur të stabilizojmë këtë gjendje përmes “bifurkacionit” që ja kemi dhënë në menaxhimi, nuk është që nuk kemi ende problem me ujë, por ne gradualisht kemi bërë përpjekje të bëjmë këtë zgjidhje”, u shpreh Ballazhi.

Po ashtu, ai tregon edhe se me cilat sfida është përballur më shumë përgjatë këtij mandati.

“Sfida e zakonshme e përditshme është buxheti, mungesa e buxhetit është një sfidë në vete, por ajo që ka ndikuar në problemet e ndryshme në mos realizimin e disa projekteve ka qenë kontrata kolektive ose borxhi që na është vënë neve barrë dhe që është dashtë na të i kryejmë këto obligime, dhe ne ende po ballafaqohemi me këtë probleme”, pohoi ai.

Tutje, Ballazhi tha se nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim apo mbështetje nga qeveria, ai tha se kemi gjetur rrugët përmes ministrit të infrastrukturës i cili na ka aprovuar disa kërkesa.

Në zgjedhjet komunale që do të mbahen në tetor të këtij viti, Mehmet Ballazhi ka bërë publik rikandidimin e tij dhe është i bindur që do të ketë përkrahjen e qytetarëve të kësaj komune.

“Besoj thellë që qytetari do ti vlerësoj të gjitha këto të arritura, dhe shumë besoj që do të arrijmë një rezultate më të mirë krahasuar me zgjedhjet e kaluar”, tha ai.

E krejt në fund ai na tregoi se cilat janë disa nga projektet që nuk ka pasur mundësi të i realizoj përgjatë këtij mandati por do të i realizoj nëse e merr besimin e qytetareve në zgjedhjet e tetorit.

“Ajo që duhet të kryhet është zgjidhja totale e ujit të pijshëm, dhe projekti tjetër që është në fokusin tim do të jetë sheshi i qytetit, sepse Hani i Elezit nuk ka ende një shesh, jemi në fazën e projektimit të sheshit, ku qytetarët të kenë si pikëtakim”, tha në fund Ballazha.
Ballazha shpreh besim në përkrahjen e qytetarëve për një mandat të dytë, duke premtuar se në mandatin tjetër do të realizoj edhe shumë projekte të tjera për të mirën e kësaj komune./Qëndresa Luma/Arbresh.info/


Të ngjashme