U arrestua për spiunazh, ndalohet për 48 orë serbi Bojan Jevtiq

15:00 | 17 Korrik 2025
E.K

Është ndaluar për 48 orë zyrtari policor i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, i cili u arrestua sot nën dyshimin për përfshirje në veprimtari spiunazhi për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës, raporton Arbresh.info.

“Prokuroria Speciale ka caktuar ndaj Jevtiqit masën e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet ndaj tij po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë mes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe vetë Prokurorisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të PSRK-së, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar ” Dheu i Bardhë”.

Tutje, në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Arbresh.info/

 

LEXO EDHE:

Arrestimi i Boran Jevtiqit, reagon Sveçla: Po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë

Aksioni kundër spiunazhit, Sveçla konfirmon arrestimin e një zyrtari policor

Polici i Kosovës, serbi Bojan Jevtiq është i arrestuari për spiunazh