Trump nënshkruan Ligjin për Mbrojtjen Kombëtare, përfshihet edhe Kosova

10:00 | 19 Dhjetor 2025
E.K

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026 autorizon një shpenzim rekord prej 901 miliardë dollarësh në vit për ushtrinë, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kishte kërkuar Trump.

Në të përfshihet edhe Kosova. Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

Ky legjislacion i gjerë përcakton gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, te rritja e pagave për trupat dhe mënyra e trajtimit të kërcënimeve gjeopolitike.

Saktësisht, SEC. 1280 flet për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë.

Kongresi vlerëson se se Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u dakordësua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve; Serbia dhe Kosova duhet të synojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në paragrafin (1); Pasi të jetë bërë përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë avancimin e nismave për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me të dyja vendet, çka mund të përfshijë:
(A) vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe
(B) avancimin e nismave konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve me të dyja vendet; Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke.

Politika e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është që të mos ndjekë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje apo forma të tjera të rishikimit të kufijve sipas vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e përplasjeve etnike që dikur karakterizonin rajonin./rtk