Tre armë konfiskohen brenda dy ditësh në Ferizaj

08:59 | 16 Prill 2026
E.G

Dy raste të ndara në Ferizaj kanë rezultuar me konfiskimin e tre armëve të zjarrit dhe inicimin e procedurave penale ndaj dy personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, rasti i parë ka ndodhur më 13 prill 2026, rreth orës 21:20, kur hetuesit rajonalë kanë identifikuar një 47-vjeçar me inicialet G.R., i dyshuar për posedim të kundërligjshëm të armës.

“Pas kontaktit me policinë, ai ka pranuar se kishte një armë në banesën e tij në rrugën “12 Qershori” dhe ka bashkëpunuar me autoritetet. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe ndaj tij është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, më 15 prill 2026, rreth orës 18:50, policia ka ndërhyrë në një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Nekodim, në rrugën “Riza Matoshi”. Pas reagimit në vendin e ngjarjes, është konstatuar se bëhej fjalë për një konflikt verbal mes dy personave, ku njëri prej tyre dyshohet se kishte kanosur tjetrin.

“Të dy personat janë shoqëruar në stacion policor, ku gjatë hetimeve është konfirmuar kanosja. I dyshuari ka pranuar gjithashtu se posedonte armë në shtëpinë e tij. Me urdhër të prokurorit, policia ka kryer kontroll, duke sekuestruar një pushkë gjahu, një pistoletë me dy karikatorë dhe një sasi municioni”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë, përfshirë verifikimin e dokumentacionit për armët e konfiskuara.

Shpërndaje në rrjete sociale