Thaçit pret senatorin amerikan, Corker

19:06 | 16 Shkurt 2016
M. A.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim senatorin amerikan Robert “Bob” Corker, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.

Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi senatorin Corker për sukseset e arritura në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, duke nënvizuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si hyrje në marrëdhënie kontraktuale me familjen e madhe evropiane, por edhe për reformat e gjithëmbarshme të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

“Po e vizitoni Kosovën në një datë të veçantë, një ditë para kremtimit të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet. Kjo nuk do të ishte arritur pa përkrahjen e SHBA-ve”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.

Thaçi dhe Corker diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë, me ç’rast ishin të pajtimit se çdo temë e rëndësishme për vendin duhet debatuar dhe trajtuar në frymë demokratike, përmes dialogut brenda institucioneve shtetërore.

Zëvendëskryeministri Thaçi ritheksoi mirënjohjen e përhershme të Qe verisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pazëvendësueshme dhe jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Kosova dhe qytetarët e saj i janë përgjithmonë mirënjohjes qeverisë dhe popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner yni strategjik dhe njëherësh miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj”, theksoi Thaçi, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me SHBA-në në të gjitha fushat, me theks të posaçëm në stabilitetin politik dhe perspektivën euroatlantike për Kosovën.

Senatori Corker e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për të arriturat e Kosovës dhe shtoi se Kosova është në rrugë të drejtë. /

Shpërndaje në rrjete sociale