Thaçi ëndërron postin e të parit të shtetit

21:50 | 6 Prill 2015
M. A.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se pret të bëhet President pas një viti. Madje pranon se kjo është arsyeja kryesore pse ai hoqi dorë nga posti i kryeministrit, e jo se u lodh me këtë punë që e kreu shtatë vjet.

Këtë, ai e ka thënë në një intervistë në Klan Kosova.
“E para nuk jam fare i lodhur, përkundrazi jam në formën më të mirë të mundshme, edhe njerëzore, edhe djaloshare edhe politike”, shtoi Thaçi.
“Besimi i qytetarëve si njeriu më i votuar tash e tetë vite dhe fitoren e tri zgjedhjeve nacionale me jep fuqi dhe energji me vazhdu edhe më fuqishëm në të ardhmen,”, thotë ai.
Thaçi pretendon se do t’i futet kësaj gare, me bindje se do ta fitojë postin, pavarësisht formës së garës që i duhet të nënshtrohet dhe marrëveshjes politike që bëri më LDK-në për këtë punë.

Kryetari i PDK-së la të kuptohet që presidenti i ri i shtetit do të zgjidhet në një mënyrë ndryshe, e jo nga Kuvendi.
“Kjo është edhe një reformë për vendin, mendoj se diçka e tillë i ka munguar vendit”, thotë Thaçi.
Kjo intervistë e Thaçit, është e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama e realizuar në Ulqin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme