Thaçi ankohet për seancën e sotme në Hagë: Caktimi i kësaj seancë sot me 28 Nëntor, do të duhej evituar

12:09 | 28 Nëntor 2025
Gita

Ish presidenti i Republikës së Kosovës- Hashim Thaci u ankua sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për seancën e caktuar ndaj tij, Hajredin Kuqit dhe Bajram Smakës.

Ai tha se caktimi i kësaj seance, pikërisht në festën kombëtare të shqiptarëve është një befasi jo e mirë.

“I nderuar z. gjyqtar, është me rëndësi që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohen të ndodhin në shtete të huaja përkatëse. Si çdo popull, edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare dhe shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seance, pikërisht sot më 28 Nëntor, do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot më 28 Nëntor, është befasi jo e mirë. I nderuari gjyqtar, sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare, ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton”, tha Thaçi.

Ai po ashtu me zërin e dridhur, ua uroj gjithë shqiptarëve festat e nëntorit, me shpresën që nëntorët tjerë t’i festojë së bashku.

“Sot çdo familje shqiptare dhe institucion edhe kujton edhe feston.“Prandaj mua nuk më mbetet tjetër, veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 Nëntorit ta festojnë të bashkuar, krenar dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët tjerë do t’i festojmë bashkë,” tha Thaçi në fund.

LEXO EDHE

Thaçi kërkon fjalën në konferencën e sotme kundër administrimit të drejtësisë, do të flasë në fund

Hashim Thaçi nga Haga: Urime 28 Nëntori, festoni të bashkuar – nëntorët e tjerë besoj t’i festojmë bashkë