Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se tetë raste të fëmijëve të prekur me fruth janë regjistruar në Kosovë gjatë dy javëve të fundit të muajit prill.
Sipas IKSHPK-së, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).
IKSHPK ka thënë se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.
Ky institucion u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
“Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Instituti rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Policia dhe EULEX-i në Jabukë të Zubin Potokut
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...