Tërnava në Tryezën Ndërfetare: Feja promovon paqen dhe bashkëjetesën

11:25 | 16 Prill 2026
E.G

Në Tryezën e Dialogut Ndërfetar me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, theksoi rëndësinë e fesë si faktor që promovon paqen, respektin dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve.

Ai u shpreh se misioni themelor i fesë nuk qëndron në përçarje apo konflikt, por në afrimin e njerëzve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme.

Sipas tij, feja kultivon respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, si vlera universale që janë të domosdoshme për çdo shoqëri që synon stabilitet dhe harmoni.

Tërnava theksoi se këto vlera janë trashëguar ndër breza nga populli shqiptar dhe komunitetet në Kosovë, duke shtuar se ruajtja dhe kultivimi i tyre është përgjegjësi e përbashkët për të ardhmen.

Ai vlerësoi se organizime të tilla janë në funksion të forcimit të harmonisë ndërfetare, ndërsa bashkëjetesa fetare në Kosovë përbën një pasuri kombëtare që duhet ruajtur dhe zhvilluar.

Shpërndaje në rrjete sociale