Tenisi vjen në burgun e lipjanit, hapet fusha e parë në qendrën korrektuese për femra

15:55 | 5 Shtator 2025
Q L

Sot, në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, u përurua zyrtarisht fusha e re e tenisit – një investim i përbashkët ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Federatës së Tenisit të Kosovës.

Njëherit, ky është edhe një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe promovimin e rehabilitimit brenda sistemit korrektues.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës,  Jeton Hadërgjonaj, reprezentuesi i Kosovës në tenis për meshkuj, Naim Shehu, si dhe Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli.

Gjatë fjalës së tij, drejtori Dibrani vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla brenda sistemit korrektues, duke theksuar se sporti është një mjet i fuqishëm për rehabilitim dhe ri-integrim të suksesshëm në shoqëri.

Ai falënderoi Federatën e Tenisit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar.

Kryetari Hadërgjonaj theksoi se Federata do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që sjellin vlera sociale dhe ndikim pozitiv në komunitete të ndryshme, përfshirë edhe institucionet korrektuese.

Fusha e tenisit do të jetë në dispozicion të të dënuarave si pjesë e programeve të rregullta rekreative dhe edukative që zbatohen në këtë qendër.

Ky investim synon përmirësimin e kushteve për aktivitete rekreative dhe sportive, si pjesë e programeve rehabilituese për të dënuarat.

SHKK falënderon Federatën e Tenisit për bashkëpunimin dhe përkrahjen në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për institucionin./Arbresh.info