Temperaturat përvëluese, eksperti i emergjencave civile: Një qytetar dhe një zjarrfikës kanë humbur jetën

15:02 | 24 Korrik 2025
Gita

Njohës i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti, ka paralajmëruar se temperaturat përvëeluese që kanë kapluar vendin tonë ditëve të fundit, të cilat të premten do e arrijnë maksimalen duke shkuar në 39 gradë celsius, kërkojnë mobilizim dhe përgjegjësi të përbashkët.

Sipas tij, vetëm gjatë kësaj jave në Kosovë janë shënuar mbi 300 raste të zjarreve, shtatë prej tyre ende janë aktive, si dhe një qytetar dhe një zjarrfikës kanëhumbur jetën, ndërsa dy zjarrfikës të tjerë janë lënduar gjatë aksionit për shuarjen e zjarreve.

“Mbi 320 raste të zjarreve vetëm këtë javë, me shtatë zjarre ende aktive. Një zjarrfikës dhe një qytetar kanë humbur jetën, ndërsa dy zjarrfikës janë lënduar. Temperaturat ekstreme dhe përhapja e zjarreve kanë krijuar një situatë shumë të rrezikshme. Kjo është një emergjencë që kërkon mobilizim dhe përgjegjësi të përbashkët”, shkruan Ahmeti.

Qytetarët, sipas tij, duhet të dinë se ndezja e zjarreve të hapura është e ndaluar në çdo formë në të gjithë territorin e vendit, andaj kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim me institucionet.

“Vetëdijesimi qytetar është thelbësor për parandalimin e dëmeve në njerëz, natyrë dhe pronë.Respekt dhe mirënjohje për heronjtë e këtyre ditëve, zjarrfikësit dhe të gjitha ekipet që po punojnë pandërprerë në terren”, shkruan tutje Ahmeti./Arbresh.info/