NATO: Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet sërish

19:46 | 18 Mars 2026
Q L

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i pranishëm në Norvegji për stërvitjen “Cold Response”, ka dhënë një mesazh të qartë mbi tensionet në Lindjen e Mesme.

Gjatë një konference të përbashkët me ministrat norvegjezë, Rutte konfirmoi se aleatët po diskutojnë intensivisht për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë botërore.

“Për sa i përket Ngushticës së Hormuzit, kam qenë në kontakt me shumë aleatë. Të gjithë jemi dakord që ngushtica duhet të hapet sërish. Aleatët po punojnë së bashku dhe po diskutojnë rrugën më të mirë se si ta arrijnë këtë. Ata po bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje”, tha Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Një tjetër pikë kritike e adresuar nga kreu i Aleancës ishte programi bërthamor i Iranit. Rutte theksoi se NATO nuk do të lejojë që Teherani të zotërojë armë të tilla apo kapacitete raketore që kërcënojnë sigurinë globale.

“Lidhur me rrezikun që Irani të sigurojë kapacitete bërthamore apo raketa balistike, ne kemi thënë vazhdimisht si NATO se kjo nuk mund të ndodhë. Është vërtet vendimtare që këto kapacitete të degradohen rëndë”.

Ndërkohë, situata në ngushticë vijon të jetë e paqëndrueshme, duke prekur rëndë ekonominë globale.

 

Shpërndaje në rrjete sociale