Më 20 gusht skadon afati që Sindikata e Bashkuar e Arsimit i ka vendosur Ministrisë së Arsimit për të nisur dialogun rreth kërkesave të punëtorëve të arsimit. Sindikalistët paralajmërojnë masa të reja, madje edhe grevë, nëse takimet nuk fillojnë. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se negociatat do të zhvillohen vetëm mbi baza ligjore dhe jo nën presione.
SBASHK-u ka vendosur 20 gushtin si datën e fundit për nisjen e dialogut me Ministrinë e Arsimit. Nëse kjo nuk ndodh, Këshilli Drejtues i sindikatës do të mblidhet për të vendosur për hapat e mëtejshëm, duke mos përjashtuar as grevën.
“SBASHK-u ka mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm dhe është marrë vendim që nëse deri më 20 gusht nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë Këshilli Drejtues do të vendos për veprimet e mëtutjeshme, duke mos përjashtuar as grevën”, tha Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut.
Sipas saj, kërkesat kryesore përfshijnë nënshkrimin e kontratës së re kolektive, ngritjen e vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave, si dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës.
Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se SBASHK-u po përsërit të njëjtin skenar para çdo fillimi të vitit shkollor dhe se kontratat kolektive të së kaluarës janë nënshkruar në kushte të parregullta.
“Kjo nuk është asgjë e re, ne jemi mësuar për vite tashmë për çdo shtator e veças për rastet kur kemi Qeveri në detyrë ose në kohën e zgjedhjeve, SBASHK-u gjegjësisht kryesia e SBASHK-ut, janë tepër të zëshëm me deklaratat të tilla. Ndërkohë ne e dimë që tri kontratat të fundit kolektive, janë nënshkruar në kohë fushatash apo në kohë të Qeverisë në detyrë e për të cilat nuk janë përfillur as procedurat ligjore e asnuk është bërë regjistrimi I tyre të cilat tashme po krijojnë probleme të shumta në komuna. Ne kemi pasur takime me SBASHK-un do të takohemi përsëri nëse është nevoja, gjithsesi vendimet dhe veprimet tona do të jenë të bazuara në rend dhe ligj e jo në shantazhe e në presione më shumë politike sesa përmbajtjesore.
Ministrja Nagavci mohon se ka shmangur takimet me sindikatën, por thekson se çdo negociatë duhet të jetë ligjërisht e qëndrueshme. Me vitin e ri shkollor që fillon së shpejti, dilema mbetet nëse nxënësit do të kthehen normalisht në bankat e tyre apo do të përballen me një tjetër grevë në arsim./rtk
Njëri nga tre viktimat që vdiqën në vendin e punës në Vjenë ...
Parashikimi i motit për sot
Pas arrestimit për armëmbajtje, Gimbo tregon gjendjen emocio...
Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran
Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike pë...
PFL bën historinë në Spanjë, ndërsa Londra pritet të ndizet ...