Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u mbajt takimi i katërt i Task Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë.
Në këtë takim u theksua progresi i rëndësishëm në menaxhimin e pyjeve dhe zbatimin e politikave, duke shënuar një epokë të re në sektorin pyjor të Kosovës, përcjell Arbresh.info.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm përpara në angazhimin e Kosovës për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore.
Ministri i BPZhR-së, Faton Peci hapi takimin duke paraqitur aktivitetet kryesore në sektorin pyjor që nga takimi i fundit. Ai theksoi zbatimin e suksesshëm të Planit të Veprimit për të parandaluar dhe ulur prerjet ilegale të pyjeve.

“Ministria ka vendosur një bazë të fortë për progresin e ardhshëm, veçanërisht përmes fushatës “Dua dhe Mbro Pyjet” dhe formimin e një bordi këshilldhënës pyjor. Task Forca e Pyjeve të Kosovës mbetet e përkushtuar për të zbatuar politika dhe praktika efektive për të mbrojtur dhe menaxhuar burimet pyjore me përgjegjësi”, tha Peci i cili gjithashtu theksoi rëndësinë e një trupi të ri inspektues për të adresuar sfidat në pylltari, bujqësi dhe ushqim më efektivisht.
Në anën e tij, zëvendës Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Fidan Dema, raportoi një ulje të konsiderueshme në incidentet e prerjeve ilegale. Ky sukses, tha ai, i atribuohet ligjit të ri pyjor, i cili ka qenë një katalizator për ndryshim pozitiv.
“Kalimi i mbikëqyrjes së pyjeve nga qeverisja lokale në atë qendrore, sipas ligjit të ri, u inicua me sukses, duke përfshirë edhe transferimin e 266 zyrtarëve pyjorë në agjencinë qendrore”, shtoi Dema.
Ndryshe, Task Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë, e cila vepron nën Ministri të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është një trup qeveritar ndër-institucional i dedikuar për të përmirësuar menaxhimin pyjor, parandalimin e prerjeve ilegale dhe promovimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore.

Task Forca përbëhet nga përfaqësues kyç nga institucione të ndryshme, duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Agjencia Pyjore të Kosovës, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillinë Gjyqësor të Kosovës, Asociacionin e Komunave të Kosovës, Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës dhe Asociacioni e Pronarëve të Pyjeve Private. Qasja bashkëpunuese siguron një strategji të gjithanshme dhe të integruar për menaxhimin e burimeve pyjore të Kosovës.
Gjithashtu, takimi theksoi rëndësinë e përparimeve teknologjike, veçanërisht dixhitalizimin e menaxhimit pyjor, si një hap kyç drejt transparencës dhe efikasitetit më të madh./Arbresh.info
Hoti: Inflacioni është rritur edhe në muajin e fundit, po i ...
Shefi i OSBE-së në Kosovë përgëzon Kurti për Ligjin për të H...
Macron ofrohet si ndërmjetësues paqeje midis Izraelit dhe Li...
Daniel Serwer pas shkarkimit të Grenellit nga “Kennedy...
Si rrezikohen Kosova dhe Ballkani nga lufta në Lindjen e Mes...
Serbia mirëpret kompromisin e Kurtit për Ligjin për të Huajt...