Takim edhe me Kurtin, Rama ndan fotoalbumin e punimeve të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian

21:48 | 4 Maj 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë sot në punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, në Jerevan të Armenisë.

Rama ndau në rrjetet sociale fotoalbumin e punimeve të këtij samiti, i cili këtë vit ka bërë bashkë 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”.

Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.

Samiti u bashkëkryesua nga presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.

Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili bashkëkryesohet nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.

Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.

Gjithashtu, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.

Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij digjital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.

Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.