Tahiri për vrasjet e fundit: Përgjegjëse direkte, Qeveria

14:24 | 12 Gusht 2025
Q L

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pesë vrasjet e rënda në 48 orët e fundit, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Tahiri ka akuzuar pushtetin në largim se e ka vënë vendin në një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga vetë pushteti.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Tahiri e ka bërë përgjegjëse qeverinë për humbjen e jetëve të këtyre njerëzve.