“Ta Pastrojmë Kosovën” largon deponit e mbeturinave në komunën e Lipjanit

16:35 | 4 Qershor 2015
M. A.

Kosova po vazhdon të pastrohet nga mbeturina dhe një gjë e tillë nuk do të ndalet deri sa ajo të jetë e pastër dhe qytetarët të vetëdijesohen për mos hedhjen e tyre.

Për këtë do të kujdeset Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” e cila pothuajse çdo ditë po kontribuon në eliminimin e deponive ilegale dhe së bashku me qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës ajo po bën heqjen e bërllogjeve në vende të shumta të Kosovës.

Kështu kjo iniciativë, sot filloi heqjen e deponive ilegale në komunën e Lipjanit, duke eliminuar kështu dy nga 108 sa ka gjithsej kjo komunë.

Këto dy deponi gjendeshin përgjatë rrugës Lipjan-Rubovc, fare pak larg njëra tjetrës dhe ishin në një gjendje mjaftë të dëmshme për ambientin.

Koordinatori i kësaj Iniciative, Luan Hasanaj, tha se fatkeqësisht në Kosovë ekzistojnë edhe qindra deponi të tjera, por gradualisht ata do t’i heqin që të gjitha në bashkëpunim me vullnetarët dhe komunat e Kosovës, shkruan kp.

Ai tha se më e rëndësishme se pastrimi i tyre është vetëdijesimi i qytetarëve për mos hedhjen e mbeturinave që sipas tij është në nivel shumë të ulët tek shoqëria jonë.

 

Murat Murati, koordinator i kësaj Iniciative për komunën e Lipjanit, tha se së bashku me komunën, qytetarët dhe organizatat e tjera ata nuk do të ndalen deri në pastrimin dhe sensibilizimin e qytetarëve që nuk duhet të gjuajnë mbeturina në rrugë.

Për t’i ndihmuar në eliminimin e këtyre deponive i pranishëm ishte edhe kryetar i organizatës multietnike për persona me aftësi të kufizuar, Fadil Behluli, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të marrin pjesë në këto aksione të iniciativës.

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të vazhdoj edhe nesër me disa aksione të mëdha të pastrimit në disa vende të tjera të Kosovës, si në Gjakovë, Mitrovicë, Vërmicë e shumë e shumë të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale