Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci kanë përkujtuar 22-vjetorin e ngjarjes tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, një ngjarje që shënoi një ndër momentet më të rënda dhe që parapriu zhvillimet e njohura si trazirat e marsit 2004.
“Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci kanë bërë sot homazhe pranë varreve të Egzon Deliut, Avni Veselit dhe Florent Veselit, të cilët humbën jetën në lumin Ibër, në përpjekje për të ikur nga një grup të rinjsh të komunitetit serb që po i ndiqnin. Kjo ngjarje tragjike u bë shkak i reagimeve të menjëhershme qytetare, të cilat shumë shpejt u shndërruan në protesta masive në të gjithë vendin. Në mungesë të organizimit dhe kontrollit institucional të mjaftueshëm, këto protesta eskaluan në dhunë, duke kulmuar me trazirat e marsit 2004, të cilat përfshinë disa qytete të Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Gjatë këtyre trazirave, humbën jetën gjithsej 20 persona, 12 shqiptarë dhe 8 serb, ndërsa qindra të tjerë u plagosën, përfshirë pjesëtarë të institucioneve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, duke përfshirë shkatërrimin dhe dëmtimin e pronave private, si dhe objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Ngjarjet e marsit 2004 nxorën në pah sfidat e theksuara të asaj kohe në menaxhimin e situatave të krizës dhe ruajtjen e rendit publik, në një kontekst ku Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar dhe institucionet vendore ishin ende në fazë të konsolidimit. Megjithatë, vlerësohet angazhimi dhe profesionalizmi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe në rrethana të jashtëzakonshme treguan gatishmëri për të mbrojtur jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, thuhet tutje në komunikatën e MPB-së.
Ministria thekson se tani më shumë se dy dekada më pas, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë avancuar ndjeshëm kapacitetet e tyre në parandalimin dhe menaxhimin e situatave që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
“Policia e Kosovës sot është një institucion profesional dhe i përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në përputhje me standardet bashkëkohore”, thekson MPB.
Në këtë datë të shënuar, ministri i Punëve të Brendshme rithekson përkushtimin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e një shoqërie të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Kujtimi për Egzonin, Avniun dhe Florentin, si dhe për të gjithë ata që humbën jetën gjatë trazirave të marsit 2004, mbetet një obligim i përhershëm për të ndërtuar dhe ruajtur paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në vendin tonë”, thuhet në fund të komunikatës së MPB-së.
U shpall shtet sponsor i terrorizmit – Çfarë përmban rezolut...
Orav: BE-ja qëndron përkrah Kosovës
Konjufca mirëpret heqjen e masave ndaj Kosovës: Presim progr...
Vrasja në Gjakovë, prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim ndaj...
U kap me 100 gramë drogë në Morinë nga policia e Shqipërisë,...
FSHF zbulon programin e Kombëtares nga shpallja e listës der...