Pas gjashtëmbëdhjetë tentimesh sot është arritur që të fillojë procesi gjyqësor kundër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deputetit të kësaj Lëvizje Rexhep Selimi, ish-deputetit Florin Krasniqi, dhe Besart Bujupi.
Në Pallatin e Drejtësisë është mbajtur seanca e parë gjyqësore ku të akuzuarit dhe i dëmtuari kanë dhënë dëshmitë e tyre. Po ashtu rreth rastit kanë dëshmuar tre dëshmitarë. Enver Bimbashi, Labinot Bajraktari dhe Maliq Rexhepi.
Ymeri, Selimi, Krasniqi dhe Bujupi akuzohen se më 28 qershor të vitit 2012 kanë sulmuar fizikisht deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu.
Seanca gjyqësore ka filluar me dëshminë e të dëmtuarit, deputetit Haxhiu, i cili ka thënë se është goditur nga deputeti Rexhep Selimi.
Gjatë seancës, ka pasur edhe gjuajtje me fjalë në mes Haxhiut dhe të akuzuarve Selimi dhe Ymeri. Në një rast Visar Ymeri i ka thënë Haxhiut “Mshele gojën”.
Më pas seanca ka vazhduar me dëshmitë e tre dëshmitarëve, dëshmitë e të cilëve nuk janë përputhur me njëri-tjetrit në lidhje me ngjarjen.
Në anën tjetër të akuzuarit Selimi dhe Ymeri këtë rast e kanë q uajtur të ndikuar politikisht ndërsa dëshmitë e dëshmitarëve sipas tyre janë dhënë me anë të presionit.
Derisa Haxhiu ka thënë se është goditur nga Rexhep Selimi, ky i fundit e mohoi një gjë të tillë.
Bekim Haxhiu, para gjykatës ka treguar se në momentin kur e kanë sulmuar, në vendin e ngjarjes kanë qenë Selimi, Ymeri, Krasniqi dhe disa truproja dhe vozitës të tyre.
Ai tha se qëllimi i bashkëbisedimit me Selimin ka qenë që tejkalohet situata e krijuar dhe ka qenë shumë miqësore deri në momentin kur Selimi sipas Haxhiut është treguar agresiv.
“Ka qenë Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Florin Krasniqi dhe disa prej truprojave që për momentin tani vetëm Besarti është, por atë ditë kanë marrë pjesë edhe disa truproja dhe vozitës të tyre. Kam bashkëbiseduar me Rexhep Selimin …krejt me qëllim që kjo situatë t? ? tejkalohet, dhe bashkëbisedimi ka qenë shumë miqësor deri në një moment….Për një moment Rexhep Selimi e ka ndërruar diskursin e bisedës, dhe ka filluar të sillet me agresivitet dhe i kam thënë se nuk ke ti problem me mua, por e ke problemin e njohur, dhe këtë agresivitet e ka shfaq me ton, dhe më pas ka provuar të godet në fytyrë, me fjalë të rënda kam me ia bërë kështu, kam me ia bërë kështu, më ka goditur rrëshqitazi në pjesën e mjekrës me grusht papritmas, nuk e kam prit, iu kam kundërpërgjigjur, me grushtin me grushtin e djathtë”, tha Haxhiu.
Deputeti Haxhiu këtë sulm e konsideron si tentim vrasje dhe se ai vetë është vetëmbrojtur.
Gjykata mori në pyetje edhe tre dëshmitarët në lidhje me rastin. Derisa zyrtari policor Enver Bimbashi ka dhënë dëshminë e tij, deputetët e akuzuar të Vetëvendosjes lëshonin zëra që të mos ndërhyhet në dëshminë e dëshmitarëve.
Dëshminë e tyre e kanë dhënë edhe dy policët tjerë Labinot Bajraktari dhe Maliq Rexhepi, të cilët dhanë deklarata të ndryshme për ngjarjen.
Ndërsa deputeti Rexhep Selimi gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ky proces gjyqësor është i ndikuar politikisht. Ai ka mohuar se ka rrahur Bekim Haxhiun, duke thënë se mes tyre ka pasur vetëm konflikt verbal.
“i gjithë ky rast është i motivuar politikisht, dhe si i tillë vazhdon të mbahet aktual po ashtu politikisht. Më lejoni edhe njëherë para jush të them se unë e kundërshtoj palën akuzuese në fjalën e tyre të fillimit, nuk ka pasur asgjë tjetër në gjithë këtë ngjarje përveç një konflikti verbal, ashtu siç ka qenë një konflikt verbal ai mes meje dhe deputetit Latif Gashit, po aq ka qenë ai mes meje dhe Bekim Haxhiut. Pra, unë e mohoj gjithë ato dëshmitë e dëshmitarit të dëmtuar, të Bekim Haxhiut i cili në deklaratat e tij ka qenë i pasaktë…asnjë dëshmitarë nuk ishte i ngjashëm me tjetrin. Pra duhet të konstatoj, që dëshmitarët përveç atij i cilësuar si i dëmtuar kanë qenë nën presion sidomos dëshmitar i parë dhe i dytë”, tha Selimi.
Prokurorja Shejan Berisha, i ka shfaqur disa fotografi, ku shihet një grumbull njerëzish, por nuk shihen qartazi personat e involvuar. Por Selimi tha se këtu nuk shihet ai.
Prokuroria dhe Gjykata si provë kanë paraqitur vetëm ekspertizën e mjekut ligjor, Arsim Gërxhaliu, në bazë të së cilës dëshmohet se Bekim Haxhiu ka marrë lëndime si dhe dy CD, por këto prova nuk i kishte pala e akuzuar.
Megjithatë,Selimi ka kërkuar nga gjykata që të mos e marrë si provë ekspertizën mjekësore pasi që mjeku ligjor Arsim Gëërxhaliu dhe Haxhiu punojnë në të njëjtin spital dhe se sipas tij ka mundur të jetë i ndikuar.
Edhe i akuzuari tjetër Visar Ymeri, i cili po ashtu tha se kjo seancë është e ndikuar politikisht dhe se kjo sipas tij u dëshmua edhe me deklaratat e dëshmitarëve.
“I tërë ky proces gjyqësor është i ndikuar politikisht gjë që po dëshmohet në dy aspekte në ditën e sotme. Nga njëra anë nga mënyra që dëshmitarët këtu sa i kishim të cilët qartazi edhe fizikisht shfaqeshin një ndjenjë të thellë trysnie e që nuk tregonin se kush ua ka shkaktuar. E dyta për sa i përket kësaj lidhet me rastet e tjera ose të ngjashme në të cilat as prokuroria dhe as gjykata kurrë nuk kanë ndërmarr ndonjë veprim…Ky seliktivitet nuk vjen nga parimet e drejtësisë por nxitet nga kontrolli politik përmbi gjyqësinë, andaj ky rast sot trajtohet e ai tjetri nuk trajtohet. Pra nuk mund të flasim këtu për drejtësi, se kur është drejtësi selektive nuk është më drejtësi, e edhe më keq nuk mund të flasim as për gjyqësor sepse gjyqësori i kapur politikisht nuk është më garant i të drejtave të barabarta për qytetarët”, tha Ymeri.
Deputeti Visar Ymeri që njëherësh është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar në mëngjes nga Policia e Kosovës pasi që ai kishte refuzuar të shkojë në seancë edhe pse kishte ftesë nga Gjykata.
Rasti kishte ndodhur më 28 qershor të vitit 2012 në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca për fjalën përfundimtare të palëve, do të mbahet me 21 mars në ora 14:00.
OVL UÇK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!” më 17 shku...
Flamengo këmbëngul për rikthimin e Lucas Paqueta
Licenca e NIS-it për operim zgjatet sërish nga SHBA-ja
INSTAT: Mbi 12.4 milionë vizitorë të huaj gjatë vitit 2025 n...
Samiti Itali-Gjermani: Meloni dhe Merz nxisin një Evropë aut...
Zbulohet plani prej 800 miliardë dollarësh SHBA-BE për Ukrai...