SPERTK i dërgon letër Osmanit për ndërhyrje urgjente në buxhetin e RTK-së

14:54 | 11 Nëntor 2025
E.G

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i ka dërguar letër publike presidentes së Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, nga e cila kërkon ndërhyrje urgjente lidhur me buxhetin e RTK-së. Sipas kësaj sindikate, RTK-ja tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e tyre.

“Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit”, thuhet në letër.

Letra e plotë:
Prishtinë, më 11 nëntor 2025
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës,
Znj. Vjosa Osmani,

Lënda: Kërkesë për ndërhyrje urgjente lidhur me buxhetin e RTK-së

E nderuar Presidente,

Duke u bazuar në deklaratën tuaj të sotme, ku shprehët gatishmërinë që si Presidente të propozonit në Kuvend alokimin e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ju drejtohet me këtë kërkesë për ndërhyrje dhe zgjidhje urgjente të kësaj situate tejet të rënduar.

RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik. Ndër ta, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe që tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit.

Gjendja është bërë edhe më e rëndë pasi bankat kanë filluar presione ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, ndërkohë që ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur mujore.

E nderuar Presidente,
Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit.

Ne, si Sindikatë shpresojmë se angazhimi juaj konkret dhe i menjëhershëm, do të shmangë një krizë sociale që po thellohet dita-ditës.

Shpërndaje në rrjete sociale