
Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS - RC2RZJ9TIWLO
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është vendosur që njërit prej 11 personave që iu është ndaluar vizita pa kufizime tek ish-Presidenti Hashim Thaçi t’i hiqet kjo masë. Ndërsa, kufizimet për vizitorët e tjerë mbeten në fuqi.
Kjo u vendos nga gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, më 16 janar 2026, por që u bë publike dy muaj pas, pra saktësisht më 16 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Personit të cilit iu hoqën kufizimet, më parë kishte mundësinë ta vizitonte Thaçin, por nën monitorim të rreptë.
Sipas vendimit, mbrojtja e Thaçit argumentoi se kufizimet nuk janë më të nevojshme dhe as proporcionale. Ajo theksoi se faza e paraqitjes së provave në rastin për krime lufte ka përfunduar dhe se ka ndryshuar rrjedhimisht rrethana që vizitorët rrezikohen që të nxiten që të ndikojnë në dëshminë e dëshmitarëve në këtë çështje.
Mbrojtja gjithashtu theksoi se që nga vendosja e kufizimeve në dhjetor 2023 nuk është raportuar asnjë incident gjatë vizitave në paraburgim dhe Thaçi i ka respektuar të gjitha kushtet e vendosura.
“Mbrojtja e Thaçit argumenton se çdo rrezik i mundshëm për publikimin e ardhshëm të informacionit konfidencial ose për pengimin e ecurisë së procedurave të Dhomave të Specializuara “është pothuajse inekzistent për sa kohë që z. Thaçi mbetet i ndaluar nën regjimin e rreptë të vendosur nga Trupi Gjykues II”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, gjyqtari i vetëm Christoph Gosnell ka thënë se ky person emri i të cilit është i redaktuar, ndryshe nga personat e tjerë që në mesin e shumë kufizimeve iu janë ndaluar edhe vizitat, ky ka marrë pjesë në vizita të monitoruara në mënyrë aktive me Thaçin pas ngjarjeve që përbëjnë objektin e këtij rasti.
Aty thuhet se ky person ka marrë pjesë në jo më pak se shtatë vizita të tilla, pa u konstatuar nga Regjistruesja ndonjë përpjekje për të komunikuar informacion konfidencial.
“Për më tepër, transkripti i vizitës jo-privilegjuese gjatë së cilës z. Thaçi është konstatuar se dyshohet se ka zbuluar informacion konfidencial nuk tregon ndonjë qëllim nga ana e [REDAKTUAR] për të ndërmarrë ndonjë hap mbi bazën e këtij informacioni konfidencial, as ndonjë nxitje nga ana e tij që ai të zbulohej”, thuhet në vendim.
Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se për shumicën e vizitorëve të kufizuar, ndalimi i vizitave jo-privilegjuese mbetet i nevojshëm dhe proporcional. Sipas vendimit, këta persona ishin të pranishëm ose të përfshirë në vizita gjatë të cilave dyshohet se u ndanë informacione konfidenciale për dëshmitarët ose u dhanë udhëzime lidhur me dëshmitë.
Gjykata theksoi se kufizimet synojnë të parandalojnë zbulimin e mëtejshëm të informacionit konfidencial dhe të mbrojnë sigurinë e dëshmitarëve, si dhe integritetin e procesit gjyqësor.
Në përfundim, Specialja vendosi të heq menjëherë ndalimin e vizitave jo-privilegjuese për këtë person, ndërsa ndalimi për dhjetë vizitorët e tjerë mbetet në fuqi.
Gjykatësi gjithashtu theksoi se këto masa do të rishikohen sërish në një fazë të mëvonshme të procesit gjyqësor ose nëse paraqiten rrethana të reja që mund të ndikojnë në kushtet e paraburgimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka mbyllur paraqitjen e provave të saj në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin lidhur me administrimin e drejtësisë.
Ndryshe, gjyqtari i vetëm në këtë çështje gjyqësore, Christoph Gosnell ka vendosur 23 marsin 2026 si datë që mbrojtja mund të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave. Ndërsa, kundërpërgjigjet e saj, Prokuroria duhet t’i dorëzojë deri më 25 mars 2026.
Varësisht prej vendimeve të gjyqtarit në mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, mbrojtja është obliguar që të tregojë në rast se do paraqesin prova. Dhe nëse po, 7 prill është caktuar si datë për deklaratat hyrëse të mbrojtjes, e që më pas do të dëgjohen dëshmitarët e tyre, proces ky i planifikuar të zgjasë deri më 24 prill 2026.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Rama takon furnizuesit e naftës: Rritja e çmimit në Shqipëri...
Kostiq dhe Miloviq dënohen me 22 vjet burgim për krime lufte
Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa fiskale për të ndaluar r...
Ministria e Familjes autorizon njësinë inspektuese për rasti...
Tragjedia në Vjenë, MPJD:Po koordinohemi me familjarët për k...
Aktakuzë ndaj 4 personave për falsifikim të rezultateve të v...